Ujësjellësi "Prishtina" apel për mbrojtjen e burimeve ujore: Uji nuk është i pafund

Ujësjellësi "Prishtina" apel për mbrojtjen e burimeve ujore: Uji nuk është i pafund

Kompania Rajonale e Ujësjellësit "Prishtina" ka bërë thirrje për përdorim të përgjegjshëm të ujit dhe mbrojtje të burimeve ujore, duke theksuar se uji është një pasuri jetike që nuk duhet shpërdoruar.

Përmes një mesazhi ndërgjegjësues, kompania rikujton se ndërsa në shumë vende uji shpenzohet pa kujdes, miliona njerëz në mbarë botën përballen çdo ditë me mungesën e ujit të pastër.

“Çdo pikë që kursehet sot është jetë që shpëtohet nesër”, thuhet në apelin e KRU "Prishtina", ku qytetarët ftohen të mos lënë rubinetët të rrjedhin pa nevojë, të shmangin ndotjen e liqeneve dhe të trajtojnë ujin si një burim të çmuar.

Kompania thekson se ruajtja e ujit është përgjegjësi e përbashkët dhe se mbrojtja e burimeve ujore është thelbësore për të ardhmen e brezave që vijnë.

“Ta ruajmë ujin si sytë e ballit, sepse pa të nuk ka jetë dhe nuk ka të ardhme. Sot kemi zgjedhjen: të jemi brezi që e shkatërroi ujin ose brezi që e mbrojti atë”, përfundon mesazhi i KRU "Prishtina".


/Motilokal.com