Nga Shkëlzen Rrecaj
Kosova po përjeton një rritje të vazhdueshme të numrit të turistëve, por një pyetje thelbësore mbetet ende pa përgjigje të qartë: kush po ua rrëfen atyre historinë e vendit? Ndërsa institucionet investojnë në promovimin e Kosovës si destinacion turistik, në terren vazhdon të mungojë kontrolli efektiv mbi ata që interpretojnë historinë, kulturën dhe identitetin e saj para vizitorëve të huaj.
Kosova shpesh paraqitet si një territor me paqartësi politike, si një zonë që ende jeton nën hijen e konfliktit apo si një vend me tensione të vazhdueshme etnike dhe probleme të mëdha sigurie. Në raste të tjera, turistëve u thuhet se historia e Kosovës lidhet pothuajse ekskluzivisht me ngjarjet e shekullit XX ose me narrativat e vendeve fqinje, duke lënë në hije periudhat e tjera historike dhe trashëgiminë e pasur kulturore të vendit.
Sa i rrezikshëm është ky fenomen, çfarë pasojash ka për imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe pse guidat vendore vazhdojnë të mbeten në hije pavarësisht njohurive dhe kualifikimeve që posedojnë? Këto janë disa nga çështjet që ngre kjo problematikë, e cila prek jo vetëm sektorin e turizmit, por edhe mënyrën se si Kosova prezantohet para botës.
Për të marrë një pasqyrë më të qartë nga terreni mbi këtë fenomen, motilokal.com bisedoi me guidën turistike nga Prishtina, Muamer Hasani.
Gudia për motlokal.com u shpreh: “Sot, historia e Kosovës u rrëfehet vizitorëve nga dy kategori kryesore: guidat vendore të certifikuara, të cilat investojnë vite në edukim, trajnim dhe profesionalizim, si dhe guidat e huaja shoqëruese (tour leaders) që sjellin grupe turistësh nga rajoni dhe më gjerë.”
“Megjithëse si shoqatë avokojmë vazhdimisht për licencim të rreptë dhe zbatim të plotë të legjislacionit në fuqi, mungesa e mekanizmave efikasë të inspektimit në terren bën që narrativa historike e Kosovës shpesh të mbetet e pambrojtur. Në praktikë, pothuajse kushdo mund të hyjë në një monument apo qendër historike dhe të interpretojë historinë pa poseduar licencë kombëtare apo kualifikimet e nevojshme profesionale. Kjo krijon hapësirë për keqinterpretime, shtrembërime të fakteve dhe cenim të së vërtetës historike të vendit tonë”, theksoi Hasani.

Sipas gudës Hasani ky fenomen është mjaft i përhapur. Shumë agjenci të huaja rajonale (nga vendet fqinje apo Evropa Qendrore) sjellin guidat e tyre me vete për të kursyer kosto. Këto guida shpesh e kalojnë Kosovën si një destinacion "transit" njëditor. Meqenëse nuk e njohin realitetin e brendshëm dhe bazohen në literaturë sipërfaqësore apo agjenda të ndikuara politikisht, ata përhapin dezinformata. Kosova prezantohet thjesht si një "provincë e shkëputur", një vatër konflikti e ngrirë.
I pyetur se a keni hasur raste konkrete kur turistët kanë ardhur me perceptime të gabuara për Kosovën për shkak të guidave të tjera?
Hasani u përgjigj: “Po, pothuajse çdo javë guidat tona vendore ballafaqohen me këtë. Kemi raste kur turistët vijnë me frikë, duke pyetur nëse është e sigurt të lëvizin natën, sepse guidat e tyre jashtë Kosovës u kanë thënë që "vendi ka tensione dhe kriminalitet të lartë". Një rast tjetër konkret që hasim shpesh është kur turistët vijnë të bindur se çdo gjë e vjetër dhe e bukur në këtë vend ka filluar dhe ka mbaruar në shekullin XIV, duke u befasuar kur zbulojnë shtresat e pasura: romake, osmane dhe trashëgiminë tonë të gjallë bashkëkohore. Ata vijnë me një imazh bardhezi, të ndërtuar nga narrative të huaja keqinformuese.”
Sipas guidës Muamer Hasani shtrembërimet më të shpeshta në narrativat e jashtme për Kosovën mund të grupohen në disa kategori kryesore. Njëra prej tyre lidhet me politizimin e tepruar të kontekstit, ku Kosova shpesh paraqitet kryesisht përmes problemeve politike, ekonomike apo sociale, duke lënë në hije zhvillimet institucionale dhe progresin e përgjithshëm.
“Një tjetër kategori lidhet me përfaqësime të thjeshtuara ose të pasakta kulturore dhe fetare, ku vendi në disa raste portretizohet në mënyrë stereotipike si shoqëri me prirje radikale, pa reflektuar realitetin e tij kompleks dhe të larmishëm”, tha Hasani.
“Po ashtu, në disa materiale informuese apo burime jo të verifikuara hasen edhe pasaktësi statistikore apo interpretime të thjeshtuara demografike, të cilat nuk mbështeten në të dhëna zyrtare ose kontekst të saktë metodologjik. Si përshembull jepen shifra të llojit që në Kosovë janë 70% shqiptarë e 30% serbë etj.”, deklaroi guida nga Prishtina.
Pse agjencitë zgjedhin guida të huaja në vend të atyre vendore?
Guida Muamer Hasani u përgjigj: “Arsyet janë kryesisht financiare, por edhe pasojë e mungesës së zbatimit të ligjit.
Paketat “All-In-One”: Agjencitë e rajonit preferojnë të kontraktojnë një guidë të vetme (p.sh. nga Turqia, Maqedonia e Veriut, Polonia etj.), e cila i shoqëron turistët në disa shtete të Ballkanit, duke shmangur angazhimin e guidave lokale në çdo kufi.
Mungesa e penalizimeve: Për sa kohë institucionet nuk vendosin gjoba apo masa ndaluese ndaj guidave të huaja që operojnë pa autorizim, agjencitë e huaja do të vazhdojnë të zgjedhin rrugën më të lehtë dhe më pak të kushtueshme për to.
Mungesa e marketingut të koordinuar shtetëror: Edhe pse ne, si shoqatë, po ndërmarrim hapa të rëndësishëm për promovimin e manualeve tona dhe standardizimin e shërbimeve, mbetet e domosdoshme një mbështetje më e fortë institucionale, në mënyrë që t’u bëhet e qartë agjencive ndërkombëtare se në Kosovë, interpretimin e historisë së vendit mund ta bëjnë ligjërisht vetëm guidat e certifikuara vendore.
Motilokal.com ka dërguar pyetje zyrtare në Departamentin e Turizmit në Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit lidhur me këtë çështje, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.
/Motilokal.com
