Pse disa njerëz bëhen shënjestër e preferuar e mushkonjave?

Pse disa njerëz bëhen shënjestër e preferuar e mushkonjave?

Nëse të duket se mushkonjat të zgjedhin gjithmonë ty, nuk është rastësi. Shkenca tregon se këto insekte orientohen nga një kombinim sinjalesh biologjike dhe kimike që ndryshojnë nga personi në person.

Mushkonjat tërhiqen fillimisht nga dioksidi i karbonit që ne nxjerrim gjatë frymëmarrjes. Më pas, kur afrohen, ato reagojnë ndaj aromës së trupit, temperaturës së lëkurës dhe lagështisë. Vetëm femrat pickojnë njerëzit, pasi u nevojitet gjaku për zhvillimin e vezëve.

Ndryshe nga besimi i përhapur, nuk ka prova të forta që lloji i gjakut ndikon në preferencën e mushkonjave. Po ashtu, ngjyra e flokëve, syve apo e lëkurës nuk ka rol të drejtpërdrejtë të konfirmuar shkencërisht.

Një rol më të madh duket se luan mikrobioma e lëkurës, bakteret natyrale që prodhojnë përbërje kimike të ndryshme. Disa prej këtyre substancave janë veçanërisht tërheqëse për insektet, përfshirë edhe 1-okten-3-ol, i njohur si “alkooli i kërpudhave”.

Studimet kanë treguar gjithashtu se konsumimi i alkoolit mund të rrisë rrezikun e pickimit. Ai ndikon në rritjen e temperaturës së trupit, në sasinë e dioksidit të karbonit të nxjerrë dhe në aromën e lëkurës. Në një studim të zhvilluar në Holandë me 465 persona, ata që kishin konsumuar birrë rezultuan rreth 35% më tërheqës për mushkonjat.

Me ndryshimet klimatike, ky problem po merr rëndësi më të madhe, pasi po përhapen lloje mushkonjash që transmetojnë sëmundje si malaria, dengue dhe chikungunya.

Mbrojtja më efektive mbetet e thjeshtë: përdorimi i repelentëve, veshje që mbulojnë trupin, rrjeta mbrojtëse dhe kufizimi i alkoolit në periudha me aktivitet të lartë të insekteve.

/Motilokal.com