Vapa po bëhet e padurueshme? Këto ushqime ju mbajnë të freskët gjatë ditës

Vapa po bëhet e padurueshme? Këto ushqime ju mbajnë të freskët gjatë ditës

Temperaturat e larta gjatë verës rrisin ndjeshëm nevojën e organizmit për lëngje, duke e bërë hidratimin një kusht bazë për ruajtjen e shëndetit, energjisë dhe funksioneve trupore. Përveç ujit, rekomandohet edhe konsumimi i ushqimeve me përmbajtje të lartë uji, të cilat ndihmojnë në kompensimin e lëngjeve të humbura përmes djersitjes.

Frutat dhe perimet e freskëta luajnë një rol të rëndësishëm, pasi përveç hidratimit ofrojnë vitamina, minerale dhe antioksidantë që mbështesin sistemin imunitar dhe përmirësojnë performancën fizike e mendore. Një hidratim i mjaftueshëm ndihmon gjithashtu në rregullimin e temperaturës trupore dhe parandalimin e lodhjes apo dehidratimit.

Ndër ushqimet më të pasura me ujë veçohen kastraveci dhe domatja, me mbi 90% përmbajtje uji, të përshtatshme për vakte të lehta verore. Shalqiri mbetet një nga frutat më freskuese të sezonit, ndërsa luleshtrydhet dhe grejpfruti ofrojnë një kombinim të mirë të hidratimit dhe vlerave ushqyese.

Po ashtu, pjepri, pjeshka, boronica, ananasi dhe mjedra janë fruta që ndihmojnë në ruajtjen e ekuilibrit të lëngjeve dhe ofrojnë energji natyrale gjatë ditëve të nxehta.

Megjithatë, frutat dhe perimet nuk mund ta zëvendësojnë ujin. Për këtë arsye, në periudha me temperatura të larta, rekomandohet kombinimi i konsumit të rregullt të ujit me një dietë të pasur me ushqime të freskëta dhe hidratuese.

/Motilokal.com