Rreziku nga dielli: Kujdesi për lëkurën bëhet domosdoshmëri në temperaturat e larta

Rreziku nga dielli: Kujdesi për lëkurën bëhet domosdoshmëri në temperaturat e larta

Temperaturat e larta dhe rrezet intensive të diellit gjatë verës kërkojnë kujdes të shtuar ndaj lëkurës. Mjekët dermatologë theksojnë se ekspozimi i pakontrolluar ndaj rrezatimit ultraviolet (UV) mund të shkaktojë djegie, plakje të parakohshme, njolla pigmentare dhe pasoja më serioze shëndetësore në afatgjatë.

Orët më kritike për ekspozim janë nga 11:00 deri në 16:00, kur intensiteti i rrezeve është më i lartë. Gjatë kësaj periudhe rekomandohet shmangia e qëndrimit të gjatë në ambiente të hapura, si dhe përdorimi i masave mbrojtëse si kapelat, syzet e diellit dhe veshjet e lehta që mbulojnë trupin.

Dermatologia Brunilda Bardhi thekson se mbrojtja e lëkurës duhet të jetë pjesë e kujdesit të përditshëm gjatë verës.

“Përdorimi i kremit mbrojtës me SPF 50 është thelbësor për mbrojtjen nga dëmtimet UV. Ai duhet aplikuar 20–30 minuta para ekspozimit dhe të riaplikohet çdo dy orë, sidomos pas notit ose djersitjes.”

Ndërgjegjësimi për rreziqet e diellit është rritur, por ende mbetet i pamjaftueshëm. Shumë persona vazhdojnë ta shohin mbrojtjen nga dielli si çështje estetike, ndërsa në fakt ajo lidhet drejtpërdrejt me parandalimin e dëmtimeve afatgjata të lëkurës, përfshirë humbjen e elasticitetit, rrudhat dhe njollat e errëta.

Në një verë me temperatura gjithnjë e më të larta, mbrojtja nga dielli nuk është zgjedhje estetike, por masë bazë shëndetësore.

/Motilokal.com