Ngritja e peshave mund t’ju zgjasë jetën, thotë studimi

Ngritja e peshave mund t’ju zgjasë jetën, thotë studimi

Një studim i ri ka zbuluar se mjaftojnë 90 minuta deri në dy orë stërvitje me pesha në javë për të reduktuar ndjeshëm rrezikun e vdekjes së parakohshme. Hulumtimi, i publikuar në revistën shkencore British Journal of Sports Medicine, analizoi të dhënat e më shumë se 147 mijë burrave dhe grave gjatë një periudhe 30-vjeçare.

Sipas rezultateve, personat që praktikonin rregullisht ushtrime me rezistencë ose ngritje peshash kishin 13% më pak gjasa të vdisnin para kohe nga çfarëdo shkaku. Po ashtu, rreziku i vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare, përfshirë infarktin dhe goditjen në tru, ishte 19% më i ulët, ndërsa rreziku i vdekjes nga sëmundjet neurologjike, si demenca, u reduktua me 27%.

Studiuesit vunë re se përfitimet më të mëdha shfaqeshin tek ata që kombinonin stërvitjen me pesha me aktivitet aerobik, si vrapimi, çiklizmi apo noti. Në këto raste, rreziku i vdekjes së parakohshme u ul deri në 58%.

Megjithatë, studimi tregon se ushtrimet me pesha për më shumë se dy orë në javë nuk sjellin përfitime shtesë të konsiderueshme për jetëgjatësinë.

Ekspertët e shëndetit e konsiderojnë këtë gjetje si një tjetër dëshmi të rëndësisë së stërvitjes me pesha, e cila ndihmon në forcimin e muskujve dhe kockave, përmirësimin e funksioneve njohëse dhe ruajtjen e pavarësisë fizike në moshë të shtyrë.

/Motilokal.com