Instituti i Shëndetit Publik i Shqipërisë ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta, duke paralajmëruar se nxehtësia ekstreme mund të ndikojë seriozisht në shëndetin e qytetarëve, veçanërisht te kategoritë më të ndjeshme.
Sipas ISHP-së, foshnjat dhe fëmijët e vegjël, të moshuarit, personat me sëmundje kronike ose aftësi të kufizuara, si dhe ata që punojnë apo kryejnë aktivitete fizike në ambiente të hapura, janë më të rrezikuar nga problemet shëndetësore që lidhen me vapën.
Ekspertët këshillojnë që gjatë ditëve të nxehta të mbahet trupi i hidratuar duke konsumuar sa më shumë lëngje, të shmanget ekspozimi në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të monitorohet rregullisht gjendja e personave që i përkasin grupeve në rrezik.
Instituti thekson se njohja e kategorive më të prekshme është një hap i rëndësishëm për parandalimin e pasojave që mund të shkaktojë nxehtësia e lartë dhe për mbrojtjen e shëndetit publik gjatë sezonit veror.
/Motilokal.com
