Pamje alarmante nga Badovci: Bërlloku pushton një nga burimet kryesore të ujit në Kosovë

Pamje alarmante nga Badovci: Bërlloku pushton një nga burimet kryesore të ujit në Kosovë

Organizata “Ta Pastrojmë Kosovën” ka reaguar ndaj gjendjes së rënduar mjedisore pranë digës së Liqenit të Badovcit, duke ngritur alarmin për rikthimin e mbeturinave në këtë zonë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, organizata kujton se më 22 mars, në Ditën Botërore të Ujit, aty ishte zhvilluar një aksion i gjerë pastrimi me pjesëmarrjen e vullnetarëve, institucioneve, organizatave, mediave dhe qytetarëve, gjatë të cilit u larguan sasi të konsiderueshme mbeturinash. Megjithatë, vetëm pak muaj më vonë, zona është përballur sërish me të njëjtin problem.

“Pamjet flasin vetë”, thuhet në reagimin e organizatës, e cila vlerëson se aksionet vullnetare, sado të rëndësishme, nuk mjaftojnë për të zgjidhur një problem që përsëritet vazhdimisht.

“Ta Pastrojmë Kosovën” u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa konkrete dhe të menjëhershme për mbrojtjen e kësaj hapësire, duke kërkuar më shumë kontroll, parandalim të ndotjes, ndëshkim të ndotësve dhe zbatimin e zgjidhjeve afatgjata.

Organizata ka paralajmëruar se do të organizojë një tjetër aksion pastrimi, por thekson se përgjegjësia për ruajtjen e mjedisit nuk mund të mbetet vetëm mbi supet e vullnetarëve.


/Motilokal.com