Moti në Shqipëri gjatë fillimit të javës do të paraqitet me një dinamikë tipike verore me kontraste mes stabilitetit dhe zhvillimeve lokale.
Të hënën pritet mot kryesisht i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit. Gjatë mesditës dhe pasdites, në zonat malore të lindjes do të ketë shtim të vranësirave dhe zhvillim të reshjeve të izoluara shiu, kryesisht me intensitet të ulët dhe në formë shtrëngatash të shkurtra. Në Ultësirën Perëndimore mund të shfaqen vetëm pika të dobëta shiu, ndërsa në vijën bregdetare reshjet mbeten të papërfillshme. Në mbrëmje moti stabilizohet gradualisht në të gjithë vendin.
Ditën e martë dhe të mërkurë vendi kalon në kushte më të qëndrueshme, me diell dhe temperatura të larta verore. Megjithatë, gjatë orëve të nxehta të ditës nuk përjashtohen zhvillime të izoluara me rrebeshe të shkurtra shiu, kryesisht në relievet malore.
Gjatë orëve të mesditës, indeksi UV pritet të jetë i lartë, ndaj këshillohet shmangia e ekspozimit të gjatë në diell dhe përdorimi i masave mbrojtëse.

/Motilokal.com
