Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë po zhvillohet një konferencë ndërkombëtare dyditore kushtuar shëndetit publik dhe mjedisit, me pjesëmarrjen e studiuesve, ekspertëve dhe përfaqësuesve institucionalë nga Shqipëria dhe vende të tjera.
Veprimtaria, e organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin George Mason (SHBA) dhe Kolegjin Ramazzini (Itali), synon forcimin e dialogut shkencor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në adresimin e ndikimit të mjedisit dhe ndryshimeve klimatike në shëndetin e njeriut.
Në fokus të diskutimeve janë ndotja e ajrit dhe ujit, siguria ushqimore, sëmundjet infektive dhe efektet e ndryshimeve klimatike, të cilat po trajtohen si sfida të ndërlidhura që kërkojnë qasje ndërdisiplinore dhe politika të koordinuara.
Përfaqësues të institucioneve shkencore dhe shtetërore theksuan se lidhja mes mjedisit dhe shëndetit publik është bërë gjithnjë e më kritike. Akademiku Besnik Bare vlerësoi rolin e konferencës si një platformë të domosdoshme për adresimin e këtyre sfidave, ndërsa zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave, Vasil Tole, nënvizoi nevojën për bashkëpunim shkencor dhe institucional për politika të qëndrueshme.
Në këtë kontekst u theksua edhe qasja “One Health”, si një model që lidh shëndetin e njeriut, kafshëve dhe mjedisit në një sistem të vetëm analitik dhe veprues.
Konferenca vijon me prezantime shkencore dhe diskutime mbi zhvillimet më të fundit në fushën e shëndetit publik dhe mjedisit, me synimin për të prodhuar rekomandime konkrete për politika më efektive dhe të bazuara në të dhëna shkencore.
/Motilokal.com
