Të jesh aktiv kur moti është shumë i nxehtë është sfiduese. Kjo është edhe një nga arsyet pse në Kupën e Botës 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë po aplikohen pauza të posaçme për hidratim rreth minutës së 22-të në çdo pjesë loje. Me temperaturat rekord që pritet të rriten këtë verë për shkak të fenomenit El Niño, ushtrimet fizike në ambiente të jashtme mund të bëhen edhe më të vështira.
Vrapimi apo aktiviteti sportiv në temperatura ekstreme nuk është vetëm i pakëndshëm, por edhe i rrezikshëm, duke rritur rrezikun e goditjes nga nxehtësia.
Sipas Christian García-Witulski, epidemiolog në Universitetin Katolik të Argjentinës, edhe aktivitetet e thjeshta si ecja, çiklizmi apo udhëtimi në këmbë bëhen më të lodhshme dhe më pak të sigurta kur temperaturat rriten.
Megjithatë, ulja e aktivitetit fizik sa herë që bën shumë nxehtë mund të sjellë pasoja afatgjata për shëndetin. Studiuesit paralajmërojnë se ndryshimet klimatike mund të çojnë në ulje të lëvizjes fizike dhe si pasojë deri në rreth 470,000–700,000 vdekje të parakohshme në vit deri në vitin 2050.
Si të qëndrojmë aktivë në vapë?
1. Zgjidh orët më të freskëta
Koha më e mirë për aktivitet është herët në mëngjes ose në mbrëmje. Hijet mund të bëjnë një ndryshim të madh – temperaturat në diell mund të jenë 12–15°C më të larta sesa në hije.
2. Merr parasysh lagështinë
Lagështia e lartë e vështirëson ftohjen e trupit, sepse djersa nuk avullon si duhet. Edhe mungesa e erës rrit rrezikun e stresit nga nxehtësia, sidomos në ambiente të mbyllura.
3. Redukto kohën dhe intensitetin
Në ditë shumë të nxehta, është më e mençur të bësh ushtrime më të shkurtra ose me intensitet më të ulët. Edhe pushimet e shkurtra në hije apo ambiente të freskëta ndihmojnë shumë.
4. Ftohu gjatë pushimeve
Vendosja në ambiente me ajër të kondicionuar, përdorimi i ujit të ftohtë apo ventilatorit ndihmon trupin të rikuperohet më shpejt.
5. Metodat e ftohjes
Në vend të akullit direkt, më efektive është lagia e trupit me ujë të ftohtë ose zhytja e duarve dhe parakrahëve në ujë të ftohtë. Avullimi i ujit nga lëkura ndihmon në ftohjen natyrale të trupit.
6. Përgatitja para aktivitetit
Ulja e lehtë e temperaturës së trupit para ushtrimeve (p.sh. me pije të ftohta ose “ice slurry”) krijon një rezervë termike më të sigurt.
7. Aklimatizimi
Trupi mund të përshtatet me nxehtësinë brenda 7–14 ditësh stërvitje graduale. Megjithatë, kjo përshtatje humbet nëse nuk ruhet vazhdimisht.
8. Dëgjo sinjalet e trupit
Marramendja, nauzea, lodhja e tepruar apo rrahjet e shpejta të zemrës janë shenja alarmi. Në këto raste, ndalja e menjëhershme është e domosdoshme.
Mesazhi kryesor
Aktiviteti fizik nuk duhet parë i ndarë nga ndryshimet klimatike. Në një botë që po ngrohet, mënyra e ushtrimit duhet të përshtatet: kur, ku dhe si lëvizim është po aq e rëndësishme sa vetë lëvizja.
