Kujdes nga temperaturat ekstreme, Instituti i Shëndetit Publik jep udhëzime

Kujdes nga temperaturat ekstreme, Instituti i Shëndetit Publik jep udhëzime

Instituti i Shëndetit Publik i Shqipërisë ka bërë thirrje për kujdes të shtuar nga temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin, duke theksuar se më të rrezikuar janë fëmijët, të moshuarit dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike të zemrës, mushkërive, veshkave apo probleme të shëndetit mendor.

Sipas rekomandimeve të institutit, qytetarët duhet të shmangin ekspozimin në diell gjatë intervalit kohor 11:00–18:00, të konsumojnë sa më shumë ujë dhe të mbajnë ambientet e banimit sa më të freskëta.

Po ashtu, këshillohet përdorimi i kremit mbrojtës ndaj diellit, syzeve, kapelave dhe veshjeve me ngjyra të çelura, ndërsa kërkohet kujdes i veçantë për personat e moshuar dhe ata që jetojnë vetëm.

Instituti rekomandon shmangien e pijeve alkoolike, kafeinës dhe lëngjeve me përmbajtje të lartë sheqeri, si dhe konsumimin e më shumë frutave dhe perimeve gjatë ditëve me temperatura të larta.

Një apel i veçantë u drejtohet prindërve dhe pronarëve të kafshëve shtëpiake që të mos lënë fëmijët apo kafshët në automjete të parkuara në diell, as edhe për periudha të shkurtra kohore.

Ekspertët paralajmërojnë se shenjat e lodhjes nga i nxehti mund të përfshijnë dhimbje koke, marramendje dhe të përziera. Në raste të tilla rekomandohet që personat të zhvendosen menjëherë në ambiente të freskëta dhe, nëse është e nevojshme, të kërkojnë ndihmë mjekësore.

“Kujdesi i përditshëm është mbrojtja më e mirë”, thekson Instituti i Shëndetit Publik.

/Motilokal.com