Zbulohet përmbajtje e lartë e borit në disa lote të ujit “Kllokoti”

Zbulohet përmbajtje e lartë e borit në disa lote të ujit “Kllokoti”

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar përmes Sistemit Evropian të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF) se disa lote të ujit mineral “Kllokoti” janë tërhequr nga tregu për shkak të përmbajtjes së lartë të borit (Boron), mbi kufijtë e lejuar.

Sipas njoftimit zyrtar, produkti i prekur është “Ujë Mineral” me origjinë nga Kosova, i eksportuar nga kompania Rugove SH.P.K. Rasti mban numrin 2026.5529 dhe është vlerësuar me rrezik serioz për shëndetin e konsumatorit.

Lotet e identifikuara përfshijnë paketime 1.5 L dhe 0.5 L, me data të ndryshme skadimi që shtrihen nga shkurti deri në prill 2027.

AUV ka bërë të ditur se menjëherë pas njoftimit janë ndërmarrë masa kontrolli, përfshirë inspektimin e prodhuesit dhe gjurmimin e të gjitha loteve të lidhura me rastin. Po ashtu, operatori ekonomik është urdhëruar të fillojë tërheqjen e produktit nga tregu.

Autoritetet u bëjnë thirrje konsumatorëve që posedojnë produktet me këto të dhëna t’i kthejnë ato në pikat e shitjes.

Institucionet përgjegjëse theksojnë se po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

/Motilokal.com