Në kuadër të aksionit më të madh për pastrimin e vendit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ka njoftuar se qytetarët do të kenë mundësi që, për herë të parë, t’i dorëzojnë mbeturinat e tyre drejtpërdrejt në deponitë sanitare të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK).
Sipas ministrisë, ky vendim synon të luftojë deponitë ilegale dhe të krijojë një sistem më të rregullt, më të sigurt dhe të ligjshëm për menaxhimin e mbeturinave në vend.
Pranimi i mbeturinave do të bëhet në deponitë sanitare në Mirash, Landovicë, Velekincë dhe Dumnicë. Qytetarët do të mund t’i dërgojnë mbeturinat çdo të shtunë, nga ora 08:00 deri në 16:00.
Tarifa për deponimin e mbeturinave është 10.31 euro për ton, ndërsa pagesat do të pranohen vetëm përmes kartelave bankare.
MMPH ka bërë të ditur se në këto deponi do të pranohen vetëm mbeturina të parrezikshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ndërkaq, mbeturinat e rrezikshme, toksike, spitalore, shpërthyese apo materiale të tjera të ndaluara me ligj nuk do të lejohen.
Ministria ka theksuar se qytetarët tashmë kanë një alternativë të ligjshme për deponimin e mbeturinave, duke paralajmëruar se çdo hedhje e tyre në natyrë apo në vende të papërshtatshme do të trajtohet me tolerancë zero dhe do të ndëshkohet sipas legjislacionit në fuqi.
“Mbrojtja e mjedisit është përgjegjësi e secilit prej nesh”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
/Motilokal.com
