Evropa nën pushtetin e të nxehtit ekstrem, temperaturat drejt rekordeve historike

Evropa nën pushtetin e të nxehtit ekstrem, temperaturat drejt rekordeve historike

Evropa po përballet me një valë të jashtëzakonshme të nxehti, e cila sipas meteorologëve mund të jetë ndër më të fortat dhe më të hershmet e regjistruara ndonjëherë për këtë periudhë të vitit.

Shkaku kryesor i kësaj situate është një fenomen atmosferik i njohur si “Kupola e Nxehtësisë”, i krijuar nga një bllokim i qëndrueshëm atmosferik që po mban mbi kontinent masa shumë të nxehta ajri me origjinë nga Sahara. Ky sistem po pengon qarkullimin normal të ajrit, duke bërë që temperaturat të rriten vazhdimisht për disa ditë me radhë.

Sipas parashikimeve, temperaturat në Francë, Spanjë dhe Portugali do të arrijnë nga 42 deri në 45 gradë Celsius, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar pritet të shënohen deri në 40°C, duke rrezikuar thyerjen e rekordeve historike për muajin qershor. Nxehtësi ekstreme pritet edhe në Belgjikë, Gjermani, Itali dhe në vendet e Ballkanit gjatë fundjavës dhe fillimit të javës së ardhshme.

Ekspertët paralajmërojnë se kombinimi i temperaturave shumë të larta, ajrit të thatë dhe erërave mund të rrisë ndjeshëm rrezikun e zjarreve, tharjes së bimësisë dhe përkeqësimit të thatësirës në shumë rajone të Evropës.

Autoritetet shëndetësore kanë lëshuar paralajmërime për grupet më të rrezikuara, si të moshuarit, fëmijët dhe personat me probleme shëndetësore. Temperaturat e larta gjatë natës, të njohura si “netët tropikale”, po e vështirësojnë gjithashtu rikuperimin e organizmit nga nxehtësia e ditës.

Meteorologët vlerësojnë se kjo valë e nxehti mund të vazhdojë edhe në ditët e para të korrikut, duke përfshirë rreth dy të tretat e territorit evropian.

/severe-weather.eu/Motilokal.com