AUV bën thirrje për kujdes në ruajtjen e ushqimeve për shkak të temperaturave të larta

AUV bën thirrje për kujdes në ruajtjen e ushqimeve për shkak të temperaturave të larta

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që merren me prodhimin, përpunimin, ruajtjen, transportin, deponimin, shpërndarjen dhe tregtimin e ushqimeve që të respektojnë me përpikëri kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë ushqimore, veçanërisht gjatë periudhës së temperaturave të larta.

Thirrja u drejtohet edhe bizneseve të gastronomisë, përfshirë restorantet, hotelet, sallat e dasmave, marketet, furrat, qebaptoret, fast-food-et dhe të gjitha subjektet që janë në kontakt me ushqimin.

AUV thekson se produktet ushqimore duhet të ruhen në temperaturat e përcaktuara në etiketën e produktit, ndërsa pajisjet ftohëse dhe ngrirëse duhet të kontrollohen rregullisht për të garantuar ruajtjen e duhur. Gjithashtu, operatorëve u kërkohet të zbatojnë në mënyrë rigoroze masat e vetëkontrollit.

Agjencia u bën apel edhe qytetarëve që të tregojnë kujdes gjatë blerjes së produkteve ushqimore, transportit të tyre deri në shtëpi dhe ruajtjes në kushte të përshtatshme deri në momentin e konsumimit. Sipas AUV-së, çdo produkt që kërkon kushte specifike të ruajtjes i ka të deklaruara temperaturat përkatëse në etiketë.

Në njoftim theksohet se produktet me prejardhje shtazore janë më të ndjeshme ndaj temperaturave të larta, por kujdes i veçantë duhet treguar edhe për produktet e tjera që kanë të specifikuar temperaturën e ruajtjes. Jetëgjatësia e produkteve lidhet drejtpërdrejt me respektimin e këtyre kushteve.

"Siguria ushqimore është përgjegjësi e përbashkët. Vetëm përmes respektimit të rregullave dhe kujdesit mund të parandalojmë rastet e helmimeve ushqimore dhe të mbrojmë shëndetin e konsumatorëve", thuhet në njoftimin e AUV-së.

Agjencia ka bërë të ditur se gjatë sezonit veror do të intensifikojë kontrollet për të mbikëqyrur zbatimin e kërkesave ligjore dhe mbrojtjen e shëndetit publik, duke paralajmëruar se asnjë shkelje nuk do të tolerohet.

"Shëndeti publik varet nga siguria ushqimore – ruajeni ushqimin në mënyrë të sigurt", përfundon apeli i AUV-së.