Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vërshime në fshatin Sllatinë e Poshtme të komunës së Vitisë, duke lënë pas dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas një njoftimi të publikuar nga përfaqësues të fshatit, lumi që kalon nëpër Sllatinë e Poshtme ka dalë nga shtrati si pasojë e reshjeve intensive, duke përmbytur prona të shumta dhe duke shkaktuar dëme në ekonomi familjare.
"Sot, pas reshjeve të mëdha të shiut, lumi që kalon nëpër fshatin tonë ka dalë nga shtrati, gjë që ka shkaktuar dëme të mëdha materiale tek shumë qytetarë të fshatit tonë", thuhet në njoftim.
Si pasojë e vërshimeve, është dëmtuar rëndë edhe një shtëpi banimi.
Në terren kanë dalë autoritetet lokale dhe shërbimet emergjente, të cilat kanë ndërhyrë për menaxhimin e situatës dhe për t'u ardhur në ndihmë banorëve të prekur.
"Faleminderit Komunës së Vitisë, Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjente, Shërbimit Zjarrfikës, Policisë së Kosovës dhe bashkëvendësve të fshatit tonë për përkrahjen dhe angazhimin e tyre në këto raste emergjente", thuhet më tej në njoftim.
Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa autoritetet pritet të bëjnë vlerësimin e plotë të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.
/Motilokal.com
