Gjendje e rënduar në Dardani të Ferizajt pas vërshimeve, Basha reagon në terren

Gjendje e rënduar në Dardani të Ferizajt pas vërshimeve, Basha reagon në terren

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka vizituar fshatin Dardani në Ferizaj për të parë nga afër gjendjen e krijuar pas reshjeve të dendura të shiut që përfshinë zonën një ditë më parë.

Gjatë vizitës, ai bëri të ditur se ekipet e mirëmbajtjes janë angazhuar menjëherë për sanimin e dëmeve të shkaktuara në infrastrukturën rrugore, duke përfshirë edhe riparimin e trotuareve të dëmtuara.

"Sot isha në terren për të parë nga afër gjendjen në fshatin Dardani të Ferizajt, pas reshjeve të dendura të shiut që kishim dje. Së bashku me kompaninë e mirëmbajtjes, i udhëzova ekipet që të fillojnë menjëherë sanimin e dëmeve në rrugë, duke përfshirë edhe riparimin e trotuareve të dëmtuara", ka deklaruar Basha.

Ai theksoi se, ndonëse fatkeqësitë natyrore nuk mund të parandalohen, institucionet do të jenë gjithmonë të gatshme të reagojnë për të minimizuar pasojat.

"Fatkeqësitë natyrore nuk mund t’i parandalojmë, por do të jemi aty për të reaguar sa herë që paraqitet nevoja", u shpreh ministri.

Basha njoftoi gjithashtu se Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka nisur hartimin e një projekti që synon t'i japë zgjidhje afatgjatë problemeve me përmbytjet në këtë zonë.

"Ministria tashmë është në fazën e hartimit të projektit që do të sjellë një zgjidhje afatgjatë për pjesën më të madhe të këtij problemi, përmes ndërtimit të një sistemi adekuat për largimin e ujërave atmosferike", ka bërë të ditur ai.

Sipas ministrit, një pjesë e problemeve lidhet edhe me keqmenaxhimin e ujërave nëntokësore nga disa banorë të zonës, ndaj ai u bëri thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë për të parandaluar përsëritjen e dëmeve.

"Në një masë të caktuar, problemet po shkaktohen edhe nga keqmenaxhimi i ujërave nëntokësore nga disa banorë të zonës. Prandaj kërkojmë bashkëpunimin e të gjithëve për të shmangur përsëritjen e këtyre situatave", tha Basha.

Në përfundim, ai u bëri apel drejtuesve të automjeteve dhe qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë qarkullimit në këtë segment rrugor deri në përfundimin e punimeve rehabilituese.


/Motilokal.com