Studim: Izolimi i njerëzve në shtëpi gjatë pandemisë po u ndihmon bletëve

Studim: Izolimi i njerëzve në shtëpi gjatë pandemisë po u ndihmon bletëve

Derisa njerëzit kanë qenë të mbyllur në shtëpitë e tyre këtë pranverë, jeta e egër është përballur me më pak shqetësime njerëzore, nga trafiku dhe ndotja. Në Izrael, derrat e egër kanë hyrë në qytetin Haifa, ndërsa delfinët po notojnë në Bosfor, ngushticë në Turqi që zakonisht është shteg i ngjeshur i transportit ujor.

Një kafshë që mund të përjetojë një ringjallje shumë të nevojshme është bleta e egër, thonë shkencëtarët. Popullsia e bletëve po bie me shpejtësi në të gjithë botën për shkak të humbjes së habitatit, ndotjes dhe përdorimit të pesticideve, shkruan BBC.

"Këto krijesa janë jetësore për atë që hamë dhe si duket fshati ynë", thotë Gill Perkins, shefi ekzekutiv i Bumblebee Conservation Trust. "Ato ofrojnë një shërbim të tërë ekosistemi."

Një botë pa bletë do të dukej shumë ndryshe dhe do të ndryshonte jetën tonë jashtëzakonisht shumë. Bletët janë polenizuesit më të rëndësishëm në botë, duke fekonduar një të tretën e ushqimit që hamë dhe 80% të bimëve të lulëzuara. Bletët dhe insektet e tjera polenizuese kanë një vlerë globale ekonomike prej rreth 150 bilionë dollar dhe kontribuojnë rreth 850 milionë dollarë në ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar çdo vit, sipas një studimi.

Një nga ndikimet më të mëdha që kanë pasur mbylljet e ekonomive ka qenë zvogëlimi i dukshëm i ndotjes së ajrit.

Në një botë me ajër më pak të ndotur, bletët mund të bëjnë udhëtime më të vogla por më produktive të polenizimit.

Më pak gazra nga automjetet ua lehtëson bletëve të gjejnë ushqim, ngase ndotja e ajrit e zvogëlon fuqinë dhe kohëzgjatjen e aromës së luleve, sipas një studimi të vitit 2016. Ndotësit i zbërthejnë molekulat e aromës së lëshuar nga bimët, duke ua vështirësuar bletëve detektimin e ushqimit.

Kushtet e jetesës së bletëve në këto kohëra janë përmirësuar dukshëm dhe shkencëtarët po  shpresojnë se vetëdijesimi është rritur që mund të ndihmojë në ruajtjen e këtyre kafshëve./Motilokal.com