Flaket s'pyesin për emergjencat, sa janë të përgatitura institucionet tona t'i fikin ato?!

Flaket s'pyesin për emergjencat, sa janë të përgatitura institucionet tona t'i fikin ato?!

Nga Shkelzen Rrecaj

Viti 2025 e vendosi Kosovën përballë një prej sfidave më të mëdha sa i përket zjarreve, duke nxjerrë në pah një problem që përsëritet çdo verë: rritjen e rrezikut nga zjarret përballë kapaciteteve ende të kufizuara për parandalim dhe reagim. Mbi 18 mijë hektarë tokë u dogjën nga qindra zjarre të regjistruara gjatë vitit të kaluar, duke e renditur Kosovën ndër vendet evropiane me sezonin më të rëndë të zjarreve.

Por përtej dëmeve në pyje, kullosa dhe prona, alarmi më i madh lidhet me përgatitjen institucionale për përballimin e situatave ekstreme. Me rreth 1.6 milion banorë, sipas standardeve të përcaktuara për njësitë profesionale të zjarrfikjes, Kosovës do t’i nevojiteshin rreth 1.100 zjarrfikës, ndërsa aktualisht ka rreth 800 zjarrfikës, e që është nën standardin e kërkuar. Ndërkaq, hendeku mes nevojave dhe kapaciteteve mbetet një nga sfidat kryesore të sistemit të emergjencave.

Temperaturat gjithnjë e më të larta, kushtet klimatike dhe faktori njerëzor po e bëjnë sezonin e zjarreve një kërcënim të përsëritur, ndërsa institucionet theksojnë nevojën për koordinim, gatishmëri dhe masa parandaluese. Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se Kosova ende përballet me mangësi strukturore, duke u fokusuar më shumë në reagimin pas shpërthimit të zjarrit sesa në parandalimin e tij.

Gjatë një konference të organizuar për menaxhimin e rreziqeve nga zjarret, ushtruesi i detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, Shefki Abdullahu, tha se prania e përbashkët e institucioneve në këtë forum dëshmon nivelin e koordinimit dhe funksionimin e mekanizmave shtetërorë në përballje me emergjencat.

Sipas tij, përballë fenomeneve që rrezikojnë jetën e qytetarëve, pronën dhe mjedisin, reagimi i ndarë i institucioneve nuk është i mjaftueshëm, ndërsa bashkëpunimi i plotë operacional dhe institucional është i domosdoshëm.

Sipas Abdullahut, gjatë sezonit të kaluar në Kosovë janë regjistruar 11 mijë e 466 vatra zjarri, të cilat kanë kërkuar angazhim të gjerë të zjarrfikësve, Policisë së Kosovës, Agjencisë Pyjore, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe institucioneve komunale.

Abdullahu theksoi se, sipas të dhënave dhe parashikimeve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat e larta do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke rritur rrezikun për shpërthimin dhe përhapjen e zjarreve në pyje, kullosa dhe sipërfaqe bujqësore. Sipas tij, temperaturat ekstreme paraqesin gjithashtu rrezik për shëndetin publik, veçanërisht për grupet më të ndjeshme të shoqërisë.

Ai tha se sezoni veror vazhdimisht ka paraqitur sfida të shtuara për sistemin e menaxhimit emergjent në vend dhe se përballimi i këtyre situatave kërkon angazhim të koordinuar të të gjitha institucioneve përgjegjëse.

“Megjithatë, duhet theksuar se çdo incident i kësaj natyre përbën rrezik serioz dhe shkakton dëme të konsiderueshme në ekosistem, ekonomi dhe infrastrukturë. Një pjesë e konsiderueshme e zjarreve lidhet me faktorin njerëzor, qoftë për shkak të pakujdesisë, qoftë përmes veprimeve të qëllimshme, duke rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë publike dhe mjedisin”, deklaroi Abdullahu.

Ai bëri të ditur se Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka shtuar masat parandaluese dhe ka intensifikuar kontrollet në terren përmes inspektimeve të vazhdueshme, në bashkëpunim me institucionet relevante, me qëllim identifikimin në kohë të rreziqeve dhe parandalimin e incidenteve.

Në kuadër të përgatitjeve operacionale, Agjencia ka ngritur nivelin e gatishmërisë në të gjitha strukturat e saj. Qendra Operative Emergjente funksionon 24 orë në ditë, ndërsa Qendrat Rajonale të Menaxhimit Emergjent monitorojnë situatën dhe koordinojnë veprimet me nivelin lokal. Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit janë në gatishmëri të plotë, ndërsa mekanizmat e inspektimit dhe parandalimit janë aktivizuar në mënyrë të shtuar.

Abdullahu theksoi gjithashtu se të gjitha rastet e zjarrvënieve do të trajtohen sipas legjislacionit në fuqi, pavarësisht nëse janë shkaktuar nga pakujdesia apo me qëllim. Sipas tij, personat përgjegjës do të përballen me masat përkatëse ligjore.

Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë periudhës me temperatura të larta, duke theksuar se reagimi institucional nuk mund të jetë i plotë pa bashkëpunimin e tyre.

Qytetarët u apeluan:

  • të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura;
  • të mos djegin mbetje bujqësore apo materiale të tjera;
  • të mos hedhin materiale të ndezshme në natyrë;
  • të respektojnë udhëzimet e institucioneve kompetente; dhe
  • të raportojnë menjëherë çdo vatër zjarri në numrin emergjent 112.

Ai rekomandoi gjithashtu kujdes të shtuar për shëndetin gjatë valëve të nxehtësisë, veçanërisht për personat më të rrezikuar.

Ai tha se falë reagimit të shpejtë dhe koordinimit ndërinstitucional, shumica e rasteve janë lokalizuar me sukses, duke shmangur pasoja më të rënda për qytetarët, pronën dhe mjedisin. Megjithatë, sipas tij, çdo zjarr përbën rrezik serioz dhe shkakton dëme në ekosistem, ekonomi dhe infrastrukturë.

Në një prononcim për motilokal.com, Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve të emergjencave dhe njëherësh bashkëthemelues i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), tha se menaxhimi i zjarreve në Kosovë vazhdon të përballet me probleme të shumta strukturore, duke përfshirë mungesën e parandalimit, koordinimin institucional dhe investimet e pamjaftueshme.

Ahmeti u shpreh se problemi nuk mund të lidhet vetëm me një faktor të vetëm, pasi bëhet fjalë për një kombinim mangësish që përsëriten çdo vit. Sipas tij, institucionet ende fokusohen më shumë në reagim pasi zjarri ka shpërthyer, në vend që të investohet në masa parandaluese gjatë gjithë vitit.

Ai theksoi se kapacitetet e komunave për reagim nuk janë të njëjta kudo. Edhe pse disa prej tyre kanë bërë përparim, në rastet kur përballen me disa vatra zjarri njëkohësisht, burimet njerëzore dhe pajisjet vendosen nën presion të madh. Sipas tij, kjo tregon nevojën për më shumë investime, plane operative më efikase dhe bashkëpunim më të mirë ndërinstitucional.

Duke folur për shkaqet e zjarreve, Ahmeti tha se një pjesë e madhe e tyre lidhen me faktorin njerëzor, qoftë përmes pakujdesisë apo veprimeve të qëllimshme. Ai theksoi se temperaturat e larta dhe kushtet klimatike nuk e shkaktojnë zjarrin vetvetiu, por krijojnë kushte që ai të përhapet më shpejt.

Ahmeti nënvizoi rëndësinë e hetimit serioz të çdo rasti, me qëllim identifikimin e shkaqeve dhe autorëve, pasi sipas tij vetëm përmes kësaj mund të ndërtohen politika më efektive për parandalimin e zjarreve.

Sa i përket gatishmërisë së Kosovës për një sezon ekstrem zjarresh, ai tha se kapacitetet vendore do të viheshin seriozisht në provë në rast të disa zjarreve të mëdha në të njëjtën kohë.

“Duhet të jemi realistë. Nëse përballemi me një sezon ekstrem, me shumë zjarre të mëdha në të njëjtën kohë, kapacitetet tona do të viheshin seriozisht në provë. Zjarrfikësit tanë kanë profesionalizëm dhe përkushtim, por menaxhimi i krizave të tilla kërkon edhe mjete moderne, pajisje të avancuara, burime të mjaftueshme njerëzore dhe koordinim të nivelit të lartë. Bashkëpunimi ndërkombëtar është një mekanizëm normal në situata të tilla, por objektivi ynë duhet të jetë rritja e kapaciteteve vendore, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur për çdo skenar”, u shpreh Ahmeti.

/Motilokal.com

Foto: Arian Mavriqi