Noti, palestra natyrale që forcon muskujt dhe përmirëson shëndetin

Noti, palestra natyrale që forcon muskujt dhe përmirëson shëndetin

Tashmë jemi në stinën e verës, periudhën ideale për relaksim, aktivitet fizik dhe kujdes ndaj trupit. Një nga sportet më të dobishme për të forcuar muskujt e këmbëve dhe krahëve, por edhe për të përmirësuar gjendjen e përgjithshme fizike, është noti.

Noti konsiderohet një mënyrë shumë efektive për ta mbajtur trupin në formë, pavarësisht moshës. Ky sport angazhon pothuajse të gjithë muskujt e trupit dhe ofron përfitime të shumta për shëndetin fizik dhe mendor.

Sipas studimeve, personat që praktikojnë notin rregullisht kanë një rrezik më të ulët për t’u prekur nga sëmundjet kardiovaskulare. Një nga avantazhet më të mëdha të këtij sporti është se mund të praktikohet nga njerëzit e të gjitha moshave.

Përfitimet kryesore të notit:

Forcon muskujt

Për të ruajtur ekuilibrin, kontrollin e lëvizjeve dhe qëndrimin e trupit në ujë, pothuajse të gjithë muskujt aktivizohen gjatë notit. Ky sport ndihmon në forcimin e këmbëve, krahëve, shpinës dhe muskujve të barkut.

Përmirëson qarkullimin e gjakut

Ashtu si aktivitetet e tjera fizike, noti ndihmon në përmirësimin e qarkullimit të gjakut përmes tkurrjes dhe relaksimit të vazhdueshëm të muskujve. Pozicioni horizontal i trupit në ujë, temperatura e freskët dhe presioni i ujit mund të ndihmojnë gjithashtu në reduktimin e ndjesisë së rëndesës dhe ënjtjes në këmbë.

Ndihmon në humbjen e peshës

Noti aktivizon të gjithë muskujt e trupit dhe kërkon shpenzim të konsiderueshëm energjie. Në varësi të intensitetit, një orë not mund të djegë rreth 200 deri në 600 kalori. Pas një periudhe të caktuar aktiviteti, trupi fillon të përdorë edhe rezervat yndyrore, duke e bërë notin një mënyrë efikase për kontrollin e peshës.

Forcon sistemin kardiovaskular dhe respirator

Noti ndihmon në forcimin e muskujve të zemrës dhe rrit kapacitetin e mushkërive. Kontrolli i frymëmarrjes gjatë notit përmirëson funksionimin e sistemit respirator dhe rrit qëndrueshmërinë fizike.

Mbron nyjet

Për shkak se trupi mbështetet nga uji, noti është një aktivitet me ndikim të ulët në nyje. Kjo e bën atë një zgjedhje të mirë edhe për personat që duan të ushtrohen pa i ngarkuar tepër kyçet dhe kockat.

Zhvillon koordinimin dhe relakson trupin

Noti kërkon koordinim mes lëvizjeve të duarve, këmbëve dhe ritmit të frymëmarrjes. Përveç përfitimeve fizike, ky sport ndihmon edhe në uljen e stresit dhe sjell një ndjenjë relaksimi falë kontaktit me ujin.

Noti nuk është vetëm një aktivitet veror, por një sport i kompletuar që kontribuon në forcimin e trupit, përmirësimin e shëndetit dhe rritjen e mirëqenies në çdo moshë.

/Motilokal.com