Të paktën tre persona kanë humbur jetën, shtatë të tjerë rezultojnë të zhdukur dhe gjashtë janë plagosur pas një rrëshqitjeje masive dheu në shtetin Kerala, në jug të Indisë, e shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut.
Pamjet e kapura nga një kamerë sigurie tregojnë momentin dramatik kur një masë e madhe balte zbret me shpejtësi nga shpati i kodrës, duke shkulur pemë, rrëzuar struktura të përkohshme dhe duke mbuluar rrugët. Në video shihen banorë që vrapojnë të tmerruar për t’i shpëtuar rrjedhës së baltës, ndërsa në sfond dëgjohet një person duke bërtitur: “Vraponi shpejt, miqtë e mi!”
Sipas autoriteteve, rrëshqitja ndodhi pranë Urës Meenakshi, në zonën Kalladi, ku po zhvillohen punime për ndërtimin e një tuneli rrugor që lidh distriktet Malappuram dhe Wayanad. Reshjet intensive destabilizuan masivet e dheut në kantier, duke shkaktuar shembjen e tyre dhe përhapjen e baltës në rrugët dhe zonat përreth.
Si pasojë e rrëshqitjes, ura, disa automjete dhe segmente të rrugës u mbuluan nga balta, ndërsa dëmet materiale raportohet të jenë të konsiderueshme.
Në vendngjarje u angazhuan menjëherë ekipet e zjarrfikësve, policisë, shërbimeve lokale të shpëtimit dhe Forca Kombëtare e Reagimit ndaj Fatkeqësive (NDRF), të cilat po vijojnë operacionet e kërkimit për personat e zhdukur. Banorët vendas arritën të shpëtonin tre punëtorë që ndodheshin në kantier në momentin e rrëshqitjes.
Autoritetet kanë dërguar njësi shtesë të NDRF-së në zonë dhe po monitorojnë situatën, pasi reshjet e vazhdueshme mund të rrisin rrezikun për rrëshqitje të tjera dheu në ditët në vijim.
/Motilokal.com


