Mrekulli pas 11 ditësh nën rrënoja: Nëna dhe tre fëmijët shpëtohen të gjallë pas tërmeteve në Venezuelë

Mrekulli pas 11 ditësh nën rrënoja: Nëna dhe tre fëmijët shpëtohen të gjallë pas tërmeteve në Venezuelë

Një nënë dhe tre fëmijët e saj janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat pas 11 ditësh të bllokuar, në atë që po cilësohet si një nga operacionet më të jashtëzakonshme të shpëtimit pas tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën më 24 qershor.

Ngjarja e rrallë u regjistrua në zonën e La Guaira, një prej rajoneve më të prekura nga lëkundjet sizmike. Familja kishte mbetur e izoluar nën rrënojat e një ndërtese banimi të shembur, ndërsa ekipet e emergjencës vijonin kërkimet për të gjetur persona të mbijetuar.

Sipas autoriteteve, nëna arriti t’i mbante gjallë tre fëmijët e saj gjatë ditëve të vështira nën rrënoja, duke u kujdesur për ta dhe duke i ushqyer me gji deri në momentin kur ekipet e shpëtimit arritën t’i lokalizonin.

Pas një operacioni intensiv kërkimi dhe ndërhyrjeje të vështirë, ekipet emergjente arritën ta nxirrnin familjen nga rrënojat, duke e përshkruar rastin si një mrekulli në mes të një katastrofe të rëndë natyrore.

Tërmetet që goditën Venezuelën kanë shkaktuar dëme të mëdha, me mijëra viktima dhe të plagosur, ndërsa shumë persona vijojnë të rezultojnë të zhdukur. Shkatërrimet kanë prekur një numër të madh ndërtesash, duke lënë mijëra familje pa strehim.

Autoritetet kanë paralajmëruar se situata mund të rëndohet edhe më tej për shkak të mungesës së ujit të pijshëm, kushteve të vështira higjieno-sanitare dhe rrezikut për përhapjen e sëmundjeve infektive në zonat më të prekura.

/Motilokal.com