Komuna e Skenderajt apelon për kujdes të shtuar gjatë sezonit të korrje-shirjeve

Komuna e Skenderajt apelon për kujdes të shtuar gjatë sezonit të korrje-shirjeve

Komuna e Skenderajt u ka bërë thirrje qytetarëve, fermerëve dhe subjekteve bujqësore që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë periudhës së korrje-shirjeve, për shkak të rritjes së rrezikut të zjarreve si pasojë e temperaturave të larta.

Sipas njoftimit të komunës, gjatë kësaj periudhe shtohet ndjeshëm rreziku i përhapjes së zjarreve në fusha, pyje dhe sipërfaqe të tjera me bimësi, ndaj kërkohet respektimi i masave parandaluese për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.

Komuna apelon që të mos ndizen zjarre në fusha, livadhe, pyje apo në afërsi të tyre, të mos digjen mbetjet e korrjeve, kashta apo mbeturinat e tjera bujqësore, si dhe të shmanget çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, veçanërisht gjatë ditëve me temperatura të larta dhe erëra.

Po ashtu, qytetarët ftohen të raportojnë menjëherë çdo vatër zjarri ose rrezik për shpërthim zjarri tek organet kompetente.

Komuna e Skenderajt thekson se çdo pakujdesi mund të ketë pasoja të rënda për jetën e njerëzve, pronën, kulturat bujqësore dhe pasuritë pyjore, duke bërë thirrje për bashkëpunim dhe përgjegjësi të përbashkët në parandalimin e zjarreve.

Në rast rreziku ose zjarri, qytetarët mund të kontaktojnë Shërbimin e Zjarrfikjes në numrin 193, Policinë e Kosovës në 192 ose numrin emergjent 112.

/Motilokal.com