Një varg gjigant qepësh, me gjatësi plot 110 metra sa vetë Ura e Mesit është shtrirë këtë të mërkurë mbi monumentin historik, duke krijuar një pamje të pazakontë dhe duke tërhequr vëmendjen e vizitorëve. Iniciativa u realizua nga fermeri i Postribës, Kujtim Plangaj, si një homazh për traditën shekullore të kultivimit të qepës në këtë zonë.
Ky projekt vjen si përmbushje e një premtimi të dhënë tre vite më parë dhe synon të promovojë një nga kulturat bujqësore më të njohura të Postribës, e cila kultivohet prej afro 300 vitesh.
Realizimi i vargut u bë i mundur falë angazhimit vullnetar të banorëve të zonës dhe të rinjve, të cilët kontribuuan në përgatitjen dhe vendosjen e tij mbi Urën e Mesit.
Fermeri Kujtim Plangaj u shpreh i emocionuar që arriti ta kthejë në realitet këtë ide, duke falënderuar të gjithë ata që iu bashkuan nismës.
"Ndihem shumë i lumtur. Premtimin e dhënë para tre vitesh e mbajta. Mora këtë iniciativë sepse kjo qepë është e jashtëzakonshme, e para në botë për shije, por edhe për banorët e kësaj zone, të cilët janë jashtëzakonisht punëtorë," tha ai.
Sipas Plangajt, nisma synon jo vetëm të promovojë traditën e kultivimit të qepës në Postribë, por edhe të shtojë interesin e turistëve që vizitojnë Urën e Mesit dhe zonën përreth.
Për ndërtimin e vargut gjigant u deshën pesë ditë punë intensive. Me një peshë prej rreth 1.2 tonësh, ai është shndërruar në një simbol të punës, traditës dhe identitetit bujqësor të Postribës, duke dëshmuar se trashëgimia lokale mund të kthehet në një atraksion unik turistik.
/Motilokal.com


