Basha merr vendim për kufizimin e qarkullimit të kamionëve mbi 20 ton gjatë valës së të nxehtit

Basha merr vendim për kufizimin e qarkullimit të kamionëve mbi 20 ton gjatë valës së të nxehtit

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka njoftuar vendosjen e kufizimeve të përkohshme të qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 ton. Masa synon mbrojtjen e infrastrukturës rrugore nga dëmtimet e shkaktuara nga temperaturat e larta, si dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.

Përmes një postimi në Facebook, Basha bëri të ditur se vendimi përcakton temperaturat dhe intervalet kohore kur do të hyjnë në fuqi kufizimet.

"Sot kam marrë vendim për vendosjen e kufizimeve të përkohshme të qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë, me qëllim të mbrojtjes së infrastrukturës rrugore gjatë temperaturave të larta dhe rritjes së sigurisë në komunikacion", ka shkruar ai.

Sipas vendimit, në autoudhë kufizimi do të zbatohet në ditët kur temperatura maksimale e parashikuar arrin 32°C ose më shumë, në intervalin kohor nga ora 11:00 deri në 17:30.

Ndërkaq, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, kufizimet do të hyjnë në fuqi kur temperatura maksimale e parashikuar arrin 35°C ose më shumë, po ashtu nga ora 11:00 deri në 17:30.

Basha njoftoi se Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit do të publikojë çdo ditë, pas orës 16:00, njoftimin zyrtar nëse kufizimet do të zbatohen ose jo për ditën pasuese. Vendimi do të bazohet në parashikimet më të fundit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.

Sipas ministrit në detyrë, kjo masë synon të parandalojë dëmtimin e rrugëve nga kombinimi i temperaturave të larta dhe ngarkesave të rënda, duke kontribuar njëkohësisht në rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.


/Motilokal.com