Stuhia Maysak godet Kinën, 39 persona humbin jetën nga përmbytjet

Stuhia Maysak godet Kinën, 39 persona humbin jetën nga përmbytjet

Të paktën 39 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga stuhia tropikale Maysak në jug të Kinës. Pjesa më e madhe e viktimave u regjistrua pas çarjes së një dige, e cila përmbyti pjesë të qytetit Nanning.

Zëvendëskryetari i bashkisë së Nanningut, Ding Wei, bëri të ditur të enjten se bilanci i viktimave është rritur ndjeshëm, nga gjashtë të raportuar më herët në 39. Sipas tij, vetëm shembja e digës mori jetën e 26 personave, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Reshjet rekord të shiut mbushën rezervuarët përtej kapaciteteve të tyre, duke shkaktuar vërshime të fuqishme që përfshinë qytete dhe zona të banuara në rajonin Guangxi.

Autoritetet kanë evakuuar rreth 130 mijë banorë, ndërsa në operacionet e kërkim-shpëtimit janë angazhuar mbi 8 mijë efektivë, rreth 5.700 varka dhe dronë, të cilët po përdoren për lokalizimin dhe ndihmën e personave të bllokuar nga përmbytjet.

Qendra Kombëtare Meteorologjike e Kinës njoftoi se në jug të Guangxit kanë rënë nga 10 deri në 40 centimetra reshje shiu, ndërsa në zonat më të prekura sasia e reshjeve ka kaluar 90 centimetra.

Ekipet e shpëtimit vijojnë të përballen me kushte të vështira, për shkak të rrymave të forta dhe mbeturinave të sjella nga përmbytjet, të cilat po vështirësojnë operacionet në terren.

Megjithëse niveli i ujit ka nisur të bjerë në disa zona, autoritetet paralajmërojnë se rreziku mbetet i lartë, pasi parashikimet meteorologjike tregojnë për reshje të tjera shiu gjatë dy ditëve të ardhshme.

/Motilokal.com