Kosova siguron 44 milionë euro grante nga BE-ja për mjedisin dhe klimën

Kosova siguron 44 milionë euro grante nga BE-ja për mjedisin dhe klimën

Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se Kosova ka siguruar një mbështetje financiare prej 206.4 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian, ku një pjesë e rëndësishme i dedikohet projekteve për mjedisin dhe klimën.

Sipas saj, nga kjo pako financiare, 44 milionë euro do të investohen drejtpërdrejt në zhvillimin e qëndrueshëm mjedisor, përmes projekteve që synojnë përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave, mbrojtjen e burimeve natyrore dhe përballimin e rreziqeve klimatike.

Pacolli ka deklaruar se mbështetja përfshin zbatimin e reformave në kuadër të menaxhimit të integruar të mbeturinave, si dhe projekte të bazuara në natyrë për mbrojtjen e shtretërve të lumenjve dhe menaxhimin e vërshimeve.

“Reformat tona nga Pakoja e Madhe e Largimit të Mbeturinave dhe krijimi i një sistemi të integruar të menaxhimit të mbeturinave po vlerësohen maksimalisht”, ka shkruar Pacolli.

Paketa financiare prej 206.4 milionë eurosh përfshin 180.5 milionë euro nga programet IPA për vitet 2026-2027 dhe 25.9 milionë euro nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Ministrja në detyrë ka falënderuar Bashkimin Evropian për mbështetjen, duke theksuar se këto investime pritet të kontribuojnë në zhvillimin e një mjedisi më të pastër dhe më të qëndrueshëm për qytetarët e Kosovës.

/Motilokal.com