Udhërrëfyesit turistikë me licenca, hap i ri për promovimin profesional të Kosovës

Udhërrëfyesit turistikë me licenca, hap i ri për promovimin profesional të Kosovës

Unioni i Turizmit të Kosovës (UTK) ka mirëpritur ndarjen e licencave për udhërrëfyesit turistikë, duke e vlerësuar këtë proces si një hap të rëndësishëm drejt profesionalizimit, rritjes së cilësisë dhe standardizimit të sektorit të turizmit në Republikën e Kosovës.

Përmes një reagimi publik, UTK ka bërë të ditur se ceremonia e organizuar për ndarjen e licencave shënon fillimin e një etape të re për zhvillimin e turizmit në vend, duke krijuar mundësi për një qasje më të organizuar dhe profesionale në promovimin e destinacioneve turistike.

Unioni ka përgëzuar Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për realizimin e këtij procesi, duke theksuar se licencimi i udhërrëfyesve turistikë ka qenë një nga kërkesat e vazhdueshme të UTK-së ndër vite.

Sipas Unionit, ky hap do të ndikojë në përmirësimin e shërbimeve turistike, vendosjen e standardeve profesionale dhe zbatimin më të mirë të legjislacionit në këtë fushë. Po ashtu, licencimi pritet të luajë një rol të rëndësishëm në prezantimin sa më të saktë dhe profesional të historisë, kulturës, trashëgimisë dhe vlerave të Kosovës përpara vizitorëve vendas dhe ndërkombëtarë.

UTK ka vlerësuar se ky proces do të ndihmojë edhe në shmangien e keqinterpretimeve apo paraqitjeve jo të sakta të historisë dhe trashëgimisë së vendit, duke garantuar që informacioni i ofruar turistëve të jetë i bazuar në profesionalizëm dhe përgjegjësi.

Në përmbyllje, Unioni i Turizmit të Kosovës u ka uruar sukses të gjithë udhërrëfyesve turistikë që kanë marrë licencat, duke shprehur bindjen se angazhimi i tyre do të kontribuojë në zhvillimin, promovimin dhe fuqizimin e turizmit në Kosovë.

/Motilokal.com