Kurti hipën në kombajnë, ndjek nga afër korrje-shirjet në Podujevë

Kurti hipën në kombajnë, ndjek nga afër korrje-shirjet në Podujevë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar fermerin Malësor Sejdiu, i cili kultivon 140 hektarë me grurë, duke e cilësuar atë si shembull të përkushtimit dhe suksesit në sektorin e bujqësisë.

Kurti bëri të ditur se, së bashku me ministrin në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci Muja, vizituan fermerin në kohën kur procesi i korrjes së grurit po vazhdon në vend.

Sipas tij, këtë vit në Kosovë janë mbjellë mbi 75 mijë hektarë me drithëra të bardha, prej të cilave afër 72 mijë hektarë janë me grurë. Bazuar në gjendjen në terren dhe kushtet klimatike, ai tha se priten rendimente mesatare prej 4 deri në 5 tonë për hektar.

Kurti theksoi se rezultatet në bujqësi nuk janë të rastësishme, por janë fryt i punës së fermerëve dhe politikave që, sipas tij, u krijojnë atyre siguri për të investuar dhe për të rritur prodhimin.


Ai nënvizoi se, me Udhëzimin Administrativ për Pagesat Direkte 2026, është ndërtuar një sistem i ri mbështetjeje për fermerët, i cili nuk bazohet vetëm në sipërfaqen e mbjellë, por edhe në prodhimin, cilësinë, mbështetjen për fermerët e rinj, fermat e vogla dhe praktikat e qëndrueshme të prodhimit.

Sipas kryeministrit në detyrë, objektivi i qeverisë është rritja e prodhimit vendor, përmirësimi i cilësisë së produkteve bujqësore, forcimi i sigurisë ushqimore, rritja e të ardhurave të fermerëve dhe zhvillimi i një bujqësie më konkurruese në Kosovë.


/Motilokal.com