Publikohen çmimet zyrtare të çadrave në plazhet e Lezhës, turistët ftohen të denoncojnë abuzuesit

Publikohen çmimet zyrtare të çadrave në plazhet e Lezhës, turistët ftohen të denoncojnë abuzuesit

Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, ka reaguar ndaj, sipas tij, sulmeve të qëllimshme që po i bëhen turizmit në bregdetin e Lezhës, si dhe ndaj përhapjes së informacioneve të pavërteta për pastërtinë, çmimet dhe hapësirat publike në zonat turistike.

Përmes një njoftimi publik, Ndreu u ka bërë thirrje pushuesve që të raportojnë, përmes mesazheve (SMS), çdo rast abuzimi apo shkeljeje që konstatojnë gjatë sezonit veror. Për këtë qëllim, ai ka publikuar numrat e kontaktit të drejtuesve të Bashkisë Lezhë dhe administratorëve të zonave turistike, të cilët, sipas tij, do të jenë në dispozicion të qytetarëve.

Njëkohësisht, Bashkia Lezhë ka bërë publike edhe çmimet zyrtare të miratuara për shezllonet dhe gazebot në plazhet e Tales, Shëngjinit, Kunës dhe Ranës së Hedhun, duke theksuar se ato janë të detyrueshme për të gjitha subjektet private dhe hapësirat e administruara nga Lezha Invest.

Sipas vendimit të publikuar, çmimet janë si më poshtë:

Shezllone bazike (alumini):

  • Tale – 300 lekë
  • Shëngjin (Qendër) dhe Kune – 400 lekë
  • Rana e Hedhun – 500 lekë

Shezllone druri me dyshek:

  • Tale – 700 lekë
  • Shëngjin (Qendër) – 800 lekë
  • Rana e Hedhun – 1.000 lekë

Gazebo familjare:

  • Nga 1.500 deri në 2.500 lekë.

Ndreu thekson se çdo subjekt që aplikon çmime më të larta se ato të miratuara duhet të denoncohet menjëherë pranë numrave të kontaktit të publikuar.

"Ju ftojmë të denonconi, përmes mesazheve (SMS), çdo rast që ju shqetëson dhe që bie në kundërshtim me ligjin, standardet e shërbimit apo interesin e pushuesve", thuhet në njoftimin e Kryetarit të Bashkisë Lezhë.

/Motilokal.com