Instituti i Shëndetit Publik i Shqipërisë u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes gjatë ekspozimit në diell, në mënyrë që pushimet në plazh apo pishinë të jenë të sigurta dhe pa rreziqe për shëndetin.
Sipas rekomandimeve të ISHP-së, këshillohet që të mbahet kapele me strehë të gjerë për të mbrojtur fytyrën, veshët dhe hundën nga rrezet e forta të diellit.
Po ashtu, ekspozimi në diell duhet të bëhet gradualisht dhe jo menjëherë për periudha të gjata, për të shmangur djegiet dhe dëmtimet e lëkurës.
Ekspertët rekomandojnë gjithashtu përdorimin e kremrave mbrojtës ndaj rrezeve UVA dhe UVB, të cilët duhet të aplikohen në trup dhe fytyrë 15–20 minuta para ekspozimit në diell. Produktet mbrojtëse duhet të kenë faktor mbrojtës (SPF) më të lartë se 15.
ISHP thekson se zbatimi i këtyre masave të thjeshta ndihmon në mbrojtjen e lëkurës dhe ul rrezikun e dëmtimeve të shkaktuara nga rrezatimi diellor.
/Motilokal.com
