Një video e publikuar së fundmi në rrjetet sociale ka ngjallur reagime dhe shqetësim te qytetarët, pasi në të shihen një numër i madh gjarpërinjsh të grumbulluar në lumin Morava, në territorin e komunës së Vitisë.
Në pamjet e publikuara vërehen disa zvarranikë të mbledhur pranë njëri-tjetrit mbi një sipërfaqe betoni, në afërsi të rrjedhës së ujit. Skena ka tërhequr vëmendjen e banorëve, veçanërisht të atyre që frekuentojnë zonën përreth lumit.
Videoja, e cila po qarkullon në platformat sociale, ka rikthyer vëmendjen te nevoja për kujdes gjatë qëndrimit pranë brigjeve të lumenjve, sidomos në periudhat me temperatura të larta, kur zvarranikët bëhen më aktivë.
Qytetarëve u bëhet thirrje të shmangin afrimin apo shqetësimin e tyre dhe të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve në këto zona.
/Motilokal.com
