Inaugurohen punimet e parkut solar 105 MW në Kramovik, investim strategjik në energjinë e ripërtërishme

Inaugurohen punimet e parkut solar 105 MW në Kramovik, investim strategjik në energjinë e ripërtërishme

Në Kramovik të Komunës së Rahovecit janë inauguruar sot punimet për ndërtimin e parkut solar fotovoltaik me kapacitet prej 105 megavatësh (MW), projekt që vjen si rezultat i ankandit të parë të organizuar nga Ministria e Ekonomisë.

Ky investim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt përmbushjes së objektivave të Kosovës për zhvillimin e energjisë së ripërtërishme, rritjen e sigurisë energjetike dhe avancimin e tranzicionit energjetik.

Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti, ministrja në detyrë e Ekonomisë Artane Rizvanolli, kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi, përfaqësues të projektit “Lindja Solar”, Linda Helms, Destan dhe Avni Orllati, si dhe partnerë të sektorit të energjisë.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se parku do të ketë një kapacitet prej 105 MW për kyçje në rrjet, duke e cilësuar projektin si një investim me rëndësi të veçantë për sistemin energjetik të vendit. Ai theksoi se mënyra e përzgjedhjes së investitorit dhe çmimi konkurrues dëshmojnë transparencën dhe barazinë e procesit të ankandit.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, u shpreh se realizimi i një projekti të tillë kërkon një proces të gjatë përgatitor, që përfshin lejet, studimet, projektimin, financimin, prokurimin e pajisjeve dhe marrëveshjet për kyçje në rrjet.

Sipas saj, ky investim përfaqëson gjithashtu një votëbesim për Kosovën dhe institucionet e saj, duke bashkuar kapitalin dhe përvojën e diasporës me ekspertizën e kompanive vendore dhe ndërkombëtare.

Ndërkaq, përfaqësuesi i projektit “Lindja Solar”, Destan Orllati, tha se nisja e punimeve është rezultat i muajve të bashkëpunimit dhe besimit ndërmjet investitorëve dhe institucioneve të Kosovës. Ai theksoi se projekti do të kontribuojë jo vetëm në prodhimin e energjisë nga burime të ripërtërishme, por edhe në forcimin e sigurisë energjetike, zhvillimin ekonomik dhe zgjerimin e tranzicionit energjetik në vend.

Projekti vjen në një kohë kur Kosova po shënon përparim në zbatimin e reformave në sektorin e energjisë.

Në ankandin konkurrues për këtë park solar morën pjesë pesë kompani dhe konsorciume nga gjashtë shtete. Fitues u shpall Konsorciumi Orllati, me origjinë nga diaspora në Zvicër dhe partnerë ndërkombëtarë, me ofertën fituese prej 48.88 euro për megavat-orë (MWh).

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, pjesëmarrja e kompanive ndërkombëtare dhe zhvillimi i ankandit përmes një procesi të hapur e transparent dëshmuan nivelin e lartë të konkurrencës dhe besueshmërisë së këtij projekti strategjik.

/Motilokal.com