Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” njofton qytetarët dhe të gjithë operatorët e interesuar se, për shkak të rasteve të shumta të mbledhjes së paautorizuar të boronicave gjatë javës së fundit, është marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të mbledhjes së këtyre frutave pyjore në territorin e Parkut Kombëtar “Sharri”.
Sipas njoftimit zyrtar nr. 202/DAPKSH/26, të datës 17.07.2026, ndalohet mbledhja dhe grumbullimi i boronicave në të gjithë territorin e Parkut Kombëtar “Sharri” deri më 01.08.2026, datë kur fillon zyrtarisht sezoni i lejuar për mbledhjen e tyre.
Ky vendim është marrë me qëllim të mbrojtjes së resurseve natyrore të parkut, pasi një pjesë e konsiderueshme e boronicave ende nuk e kanë arritur pjekurinë e nevojshme dhe mbledhja e parakohshme dëmton zhvillimin dhe ripërtëritjen e këtij produkti pyjor.
Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” rikujton se të gjithë personat dhe kompanitë që merren me mbledhjen dhe grumbullimin e boronicave në territorin e parkut janë të obliguar të pajisen me leje përkatëse nga DAPK “Sharri”.
Institucionet përgjegjëse do të vazhdojnë monitorimin dhe kontrollin në terren, ndërsa ndaj personave që veprojnë në kundërshtim me këtë njoftim do të merren masat e parapara ligjore.
/Motilokal.com
