Organizatat mjedisore kanë dërguar në Gjykatën Administrative në Prishtinë çështjen e lejeve mjedisore për hidrocentralet në Deçan. Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike, së bashku me organizatat Pishtarët, EcoZ dhe Gjethi, kanë ngritur padi ndaj Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, duke kundërshtuar vendimin për vazhdimin e lejeve mjedisore për hidrocentralet Deçani dhe Belaja.
Padia, e dorëzuar pas publikimit të vendimeve më 16 qershor, synon anulimin e këtyre lejeve dhe rikthimin e procedurës në fazën e diskutimit publik. Organizatat pretendojnë se gjatë procesit nuk është siguruar pjesëmarrje e plotë dhe e informuar e qytetarëve, ndërsa theksojnë se ky rast nuk lidhet vetëm me dy leje konkrete, por me mënyrën se si institucionet marrin vendime për projekte që ndikojnë në mjedis dhe komunitete.
Përmes padisë, organizatat kërkojnë që gjykata t’i anulojë lejet mjedisore për HC Belaja dhe HC Deçani dhe ta obligojë Ministrinë të zhvillojë një proces të ri konsultimi publik. Sipas tyre, gjatë këtij procesi duhet të sigurohet qasje në kohë në të gjitha dokumentet dhe informacionet relevante, si dhe të bëhet e qartë se si komentet, shqetësimet dhe provat e paraqitura nga qytetarët janë marrë parasysh para marrjes së vendimit.
“Për vite me radhë, qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile kanë kërkuar që publiku të ketë të drejtë të marrë pjesë në procedurat për dhënien e lejeve mjedisore. Kjo kërkesë u fuqizua pas rastit të lëshimit të lejeve për hidrocentralet në Lumëbardhin e Deçanit në vitin 2020. Këto kërkesa u mbështetën edhe nga ministrja aktuale e Mjedisit, e cila në atë kohë ishte deputete dhe më pas kryesuese e Komisionit Parlamentar për Mjedis”, thuhet në komunikatën e organizatave.
Sipas organizatave, bazuar në Udhëzimin Administrativ për Lejet Mjedisore të vitit 2025, procedura për lejet mjedisore për hidrocentralet në Deçan duhej të përfshinte edhe diskutimin publik.
“Duke u mbështetur në këtë të drejtë, organizatat dhe aktivistët dorëzuan komente, analiza teknike dhe prova që ngritën shqetësime serioze lidhur me procedurën e ndjekur. Megjithatë, publikut nuk iu sigurua qasje në kohën e duhur në dokumentet dhe informacionet e nevojshme, duke e bërë të pamundur një pjesëmarrje të plotë dhe të informuar”, thuhet në reagim.
Organizatat pretendojnë se, pavarësisht shqetësimeve të ngritura dhe vërejtjeve të paraqitura gjatë procesit, Ministria vazhdoi me lëshimin e lejeve mjedisore për HC Deçani dhe HC Belaja, pa dhënë, sipas tyre, përgjigje të mjaftueshme ndaj komenteve dhe provave të dorëzuara nga publiku.
/Motilokal.com
