Policia e Kosovës ka përmbyllur me sukses dy trajnime të specializuara në fushën e kërkim-shpëtimit në ujë dhe zhytjes, të realizuara në bashkëpunim me Shoqatën e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim (SHKKSH).
Trajnimet janë zhvilluar në Borsh të Shqipërisë, gjatë periudhave 5–10 korrik dhe 12–18 korrik 2026, ku morën pjesë gjithsej 30 operatorë nga njësitë speciale të Departamentit të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës.
Gjatë programit, pjesëmarrësit avancuan njohuritë teorike dhe aftësitë praktike në fushën e zhytjes, si dhe në operacionet e kërkimit dhe shpëtimit në ambiente ujore, duke forcuar përgatitjen e tyre për ndërhyrje në situata të ndryshme emergjente.
Sipas Policisë së Kosovës, këto trajnime kanë rritur kapacitetet profesionale dhe operative të njësive speciale, duke shtuar gatishmërinë për reagim të shpejtë dhe efikas në raste të emergjencave natyrore dhe civile.
Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë investimin në trajnime të specializuara dhe në zhvillimin e vazhdueshëm profesional të pjesëtarëve të saj, me synim forcimin e kapaciteteve të kërkim-shpëtimit dhe ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për qytetarët.
/Motilokal.com
