Agjencia për Menaxhimin e Emergjent (AME), bazuar në paralajmërimet e hershme të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), ka bërë apel për kujdes dhe gatishmëri të shtuar nga ana e qytetarëve.
Sipas AME-së, gjatë ditës priten zhvillime të fuqishme konvektive atmosferike, të cilat mund të sjellin stuhi lokale të shoqëruara me bubullima, reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta.
Si pasojë e këtyre dukurive atmosferike, qytetarët paralajmërohen për disa rreziqe të mundshme, ndër të cilat:
- Përmbytje të shpejta lokale në zonat ku reshjet do të jenë më intensive;
- Dëmtime të mundshme në objekte, automjete, infrastrukturë dhe kultura bujqësore, veçanërisht nga breshëri dhe erërat e forta;
- Rrezik të shtuar për zjarre si pasojë e shkarkimeve atmosferike;
- Probleme në sistemet e telekomunikacionit;
- Dëmtime në rrjetin elektroenergjetik dhe ndërprerje të mundshme të energjisë elektrike;
- Rrezik nga goditjet e rrufesë për njerëzit dhe kafshët.
AME jep këto këshilla për sigurinë e qytetarëve:
- Gjatë kohës së stuhisë qëndroni në ambiente të sigurta dhe shmangni daljet e panevojshme;
- Mos qëndroni nën pemë të larta, pranë objekteve metalike apo shtyllave elektrike;
- Në komunikacion tregoni kujdes të shtuar, përshtatni shpejtësinë dhe shmangni rrugët apo nënkalimet e mbuluara nga uji;
- Siguroni sendet në ballkone dhe oborre që mund të dëmtohen nga era e fortë ose breshëri.
Njësitë e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, së bashku me Qendrat Operative Emergjente, mbeten në gatishmëri të plotë për të reaguar në të gjithë territorin e vendit.
Në rast nevoje, qytetarët mund të kontaktojnë numrat emergjentë pa pagesë:
📞 112 – Qendra Operative Emergjente
📞 192 – Policia e Kosovës
📞 193 – Zjarrfikësit
📞 194 – Ndihma e Shpejtë
/Motilokal.com
