Këtë të premte, jugu i Shqipërisë pritet të përfshihet nga reshje intensive shiu, stuhi lokale dhe erë e fortë. Për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes maksimal, veçanërisht në zonat bregdetare dhe plazhe.
Si masë sigurie, është pezulluar lundrimi i mjeteve të vogla lundruese, anijeve të peshkimit dhe mjeteve turistike në Vlorë, Sarandë, Ksamil dhe Borsh.
Sipas parashikimeve, në veri dhe veriperëndim të Gjirit të Vlorës, nga mesdita e së premtes deri në mëngjesin e së shtunës, era do të fryjë me shpejtësi 15–25 metra në sekondë, duke krijuar dallgë me lartësi 1.5 deri në 3.5 metra.
Për këtë arsye, është ndaluar edhe pajisja me leje nisjeje për mjetet e vogla që planifikojnë të operojnë në det të hapur në zonën Dhërmi–Himarë.
Ndërkohë, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë aktivitetin normal sipas itinerareve dhe destinacioneve të tyre.
/Motilokal.com
