Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka publikuar rekomandime për fermerët lidhur me trajtimin e pemëve frutore pas reshjeve të breshërit, me qëllim mbrojtjen e bimëve, parandalimin e sëmundjeve dhe përshpejtimin e rikuperimit.
Sipas MBPZHR-së, pas breshërit prioritet është dezinfektimi i plagëve të shkaktuara në bimë dhe ulja e rrezikut nga infeksionet bakteriale e kërpudhore. Për këtë rekomandohet përdorimi i preparateve me bazë bakri, si hidroksidi i bakrit, oksikloruri i bakrit dhe lëngu bordolez.
Pas 2–5 ditësh nga trajtimi fillestar, fermerët këshillohen të përdorin biostimulantë për të ndihmuar bimën në tejkalimin e stresit dhe rigjenerimin e indeve të dëmtuara. Ndër preparatet e rekomanduara përfshihen aminoacidet, ekstraktet e algave detare, acidet humike e fulvike dhe preparatet me bazë silici.
Ministria rekomandon gjithashtu ushqyerje plotësuese të pemëve, duke përfshirë kalcium dhe bor për forcimin e indeve të reja, azot në sasi të moderuara për zhvillimin e masës gjethore dhe kalium për rritjen e rezistencës ndaj stresit.
Fermerët këshillohen që pas breshërit të bëjnë monitorim të rregullt të pemishteve, pasi dëmtimet rrisin rrezikun për shfaqjen e sëmundjeve kërpudhore dhe bakteriale. Trajtimet duhet të përshtaten sipas llojit të kulturës, shkallës së dëmtimit dhe kushteve klimatike të zonës.
MBPZHR u bën thirrje fermerëve që për këshilla profesionale të drejtohen në Qendrat Informative Këshillimore Komunale për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.
Kontakti për informata shtesë:
Departamenti i Shërbimeve Këshillimore dhe Teknike – MBPZHR
Prishtinë
Tel: +383 (0)38 200 38 426
/Motilokal.com
