Dy vjeçarja - pushtuesja e maleve

Dy vjeçarja - pushtuesja e maleve

Blerta Ahmeti është gazetare me profesion, por me pasion bjeshkatarinë. Ajo ka pushtuar disa maja të larta, prej të cilave më e larta që ajo ka arritur ta shkelë është Kilimanxharo në Tanzani të Afrikës, me 5.895 metra lartësi mbidetare. Ajo është ngjitur edhe në disa maja tjera si në Olimpi të Greqisë që është maja e dytë më e lartë në Ballkan, në Musala, majën më të lartë në Bullgari dhe në Ballkan si dhe në Triglav, majën më të lartë të Alpeve Juliane dhe Sllovenisë.

Blerta së bashku me Qëndrimin, bashkëshortin e saj, në disa prej këtyre ekspeditave me vete kanë pasur edhe vajzën e tyre, Borean, me të cilën janë ngjitur në majën me të lartë në Ballkan, në Musala të Bullgarisë. 

Në një bisedë për Motilokal.com, ajo sjell rrëfimet dhe aventurat e saj gjatë ngjitjes së këtyre majave.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Blerta, ju me profesion jeni gazetare, por prej nga erdhi pasioni për bjeshkatarinë?

Ky pasion lindi që nga kur njoha Qëndrimin (Qëndrim Sopi), në vitin 2009. Në atë kohë të pakta ishin grupet që bënin ecje malore dhe shumë të paktë edhe dashamirët e këtyre aktiviteteve në natyrë. Bile nëse kthehemi pas në kohë, njerëzit që bënin ecje në bjeshkë e sidomos ata që organizonin aktivitete, shiheshin me sy të zi nga ne të tjerët. Në mesin e tyre edhe unë. Por doli dikush që mi theu këto paragjykime.

Udhërrëfyesi i ecjes për në bjeshkën e Milishevcit, në Maj të 2009-ës u bë shoku im dhe udhërrëfyesi i këtyre eksperiencave të mija në natyrë, për t’u bërë më pas burri im dhe guida e këtij pasioni që çdo ditë forcohet, në çdo ecje shtohet dhe për çdo vit merr formën e vet. 

A mund të na tregoni se cilat janë majat që i keni pushtuar deri më tani dhe cila prej këtyre ekspeditave ju kanë lënë më së shumti kujtime?

Për gjatë këtyre 9 viteve, së bashku kemi bërë shumë ecje në bjeshkë, meqë edhe bjeshka na njohu.

Ka pasur momente kur këtë emër donim t’i vinim edhe vajzës që kemi sot, por ja që e ndryshuam mendimin pak para lindjes së saj. 

Ekspeditat në vend i fillova me Milishevcin dhe e mbylla me Gjeravicën që zyrtarisht njihet si maja më e lartë në Kosovë me 2.656 metra lartësi mbidetare, në diell e në shi, në pranverë e në dimër.

Shqipëria ka shumë bjeshkë të bukura, por unë nuk është se i kam eksploruar shumë ato terrene, për shkak se këto ngjitje marrin më shumë se një ditë, dhe në rastin tim, për shkak të punës intensive që bëj, aktivitetet në afërsi i kam neglizhuar për t’u dhënë mundësi atyre që janë më larg.

Olimpin me 2.912 metra lartësi mbidetare, e cila njihet si maja më e lartë në Greqi dhe njëherësh si e dyta në Ballkan. Musala me 2.925.4 m (9,598 ft) metra lartësi mbidetare, është maja më e lartë në Bullgari dhe në Ballkan. Musalan e kemi bërë dy herë. Një herë vetëm në vitin 2015 dhe një herë me Borean, vajzën tonë në 2019-ën. Pastaj erdhi ngjitja në Triglav (2.864m), është maja më e lartë e Alpeve Juliane dhe Sllovenisë. Kjo bjeshkë nuk veçohet për nga lartësia, por nga vështirësia e ngjitjes. Triglavi është 90% ngjitje dhe 10% ecje.

Për të vazhduar me ngjitjen në majën më të lartë në Afrikë, Kilimanxharo (Tanzani) 5,895m. Kjo është pika më e lartë që kam shkelur në tokë. Dhe nuk e di se çfarë sjell e ardhmja, por nuk kam në plan t’ia thyej vetes këtë rekord.

Një prej majave që keni shkelur është edhe Kilimanxharo (Uhuru). Çfarë do të mund të ndanit me lexuesit e portalit tonë, diçka që për ju do të thotë shumë?

Kilimanxharon e kam ecur në vitin 2016. Për ta përfunduar komplet ekspeditën janë dashur 7 ditë dhe sigurisht që për kaq ecje duhet përgatitje paraprake.

Konsideroj që kam qenë e përgatitur mjaftueshëm si në aspektin fizik, ashtu dhe atë psikik për t’u ngjitur në majën më të lartë në Afrikë. Por sa vërtet je i përgatitur e kupton tek kur të ballafaqohesh me sfidat. Kjo pasi që në mbi 5.000 metra ka tjetër kalkulim të oksigjenit, ka të tjera rrethana, të tjera sfida, që normalisht nuk kishe ku t’i mësoje paraprakisht, kështu përballesh me to për herë të parë.

Në pak gjëra që mbaja në çantë kur po ngjiteshim në pjesën e fundit të bjeshkës, kisha me vete një bluzë me foton e babit tim dhe emrat e të gjithë familjarëve. Sepse këtë ecje ja kisha dedikuar atij, në heshtje. Dhe kështu në heshtje e kisha motivim dhe shtysë shumë të fortë për të ecur një nga një hapat në rrethana shumë të vështira për mua. Po i sfidoja limitet e organizmit tim, me dëshirën që në maje të vesh bluzën e babit, i cili atë vit u pensionua nga profesioni i mësimdhënësit dhe zyrtarisht nisi atë të inovatorit. Unë e arrita këtë qëllim dhe ia urova 7 marsin e atij viti nga maja më e lartë në Afrikë.

Cilat janë vështirësitë e këtyre aventurave?

Secila ecje në natyrë ka karakteristika të veçanta dhe si rrjedhojë duhet provuar për t’i mësuar. Unë them secila bjeshkë flet në mënyrën e vet dhe po nuk e bëre me dashuri këtë aktivitet, nuk mund ta zgjasësh shumë. Nuk mund të themi se vetëm bjeshkët e larta janë të vështira, nganjëherë rreziku të vjen edhe nga ato bjeshkë që i ke ecur disa herë dhe thua se e bën me sy mbyllur.

Por për mua Kilimanxharo ka qenë kapaku, sepse ka pasur momente kur isha thellësisht e bindur se nuk mund të ecja më, dhe prapë vazhdoja të ecja, sepse nuk kisha zgjidhje tjetër. Kjo ndodhi gjatë kthimit, atëherë kur të janë sosur energjitë, dhe ke më pak motiv për të ecur. Them i kam kaluar limitet e mia dhe ato që trupi kishte regjistruar si të mundura.

Blerta, në disa prej ekspeditave tuaja ju keni marrë edhe fëmijën tuaj dy vjeç. Si ka shkuar udhëtimi, keni pasur vështirësi?

Borea që tash ka dy vjet e gjysmë, e kemi marrë në bjeshkë që gjashtëmuajshe. Në fillim kemi bërë ecje rekreative sa për ta mësuar me këtë realitet dhe kështu jemi ngjitur gradualisht me të deri në majën më të lartë në Ballkan. Në Musala ajo kishte vetëm 17 muaj dhe të them të drejtën jemi frikësuar të dy, edhe unë edhe Qëndrimi, por që paraprakisht kishim konsultuar mjekun, çiftet  e huaja që i njihnim përmes rrjeteve sociale që bënin ecje me fëmijë të vegjël dhe kështu e kemi plotësuar ‘puzzle’-in.

Në atë periudhë Borea ishte me rrufë, i shkonin hundët dhe për shkak të vizitave që i bëmë në Bullgari një ditë më parë u ftoh pak. Kjo në fakt na trembi paksa, por thamë le të nisemi, duke parë e duke bërë. Në rast se ajo do të jepte simptoma të rrufës së shpejtë, të vjellave dhe të qarave pa arsye, njëri nga ne do të kthehej me të. Të gjithë rrugën e kemi bërë duke u parë me gaz. Qëndrimi si një nga udhërrëfyesit e kësaj ekspedite, bënte ecje të ngadaltë, duke i mundësuar Boreas aklimatizim gradual dhe të mjaftueshëm.

Kemi qeshur e kënduar bashkë deri në maje dhe ashtu jemi kthyer.

Ardhja e Boreas në jetë, neve nuk na i ka ndaluar aktivitetet, nuk na ka ndryshuar mënyrën e jetesës, por na ka shtuar pajisjet.

Tani çdo gjë e mendojmë për tre persona. Pajisjet, ushqimin, lëngjet e medikamentet që varësisht nga bjeshka i marrim me vete.

Ne bëjmë shumë gjëra me të bashkë, duke e ditur që janë në të mirë të shëndetit të sajë.

Dikush mund të thotë si mund ta rrezikoni fëmijën! Vërtet, a po e rrezikoni apo udhëtimi në bjeshkë i bën mirë?

Ecjet në natyrë Borean e kanë bërë më imune, më të qëndrueshme gjatë përballjes me virozat që merrte në kopësht, më gazmore dhe një fëmijë shumë të hareshëm.

Unë jam pak rigoroze në të ushqyerit e shëndetshëm, por ecjet në natyrë kanë ndikuar shumë edhe në shëndetin e saj psikologjik. Në çantë, mbi shpinën e babit kryesisht e rrallë herë të mamit, gjatë ecjeve flet me të gjithë, qeshet e këndon.

Tani që ajo po rritet dhe po shton peshë, na e vështirëson pak ngjitjen në bjeshkë, duke e bartur mbi shpinë, por jemi në fazën e gjetjes së formave të reja të komunikimit tonë me natyrën dhe me këtë aktivitet.

Nëntëmuajshe, në fazën e hapave të parë, ajo ka ecur mbi akullin e liqenit të Liqenatit në bjeshkët e Rugovës.

Ditari i fëmijërisë së saj është i bujshëm. Me shumë aktivitete kryesisht të shëndetshme për trupin dhe mendjen e saj.

Ne lodhemi më shumë, por nuk bëjmë asgjë që nuk i sjellë dobi. As që bëhet llaf për rrezik!

Rreziqet vijnë nga gjërat e panjohura. Krijimi i një raporti të shëndoshë me bjeshkën që në vogëli nuk paraqet rrezik për askënd. Ajri i pastër dhe fryma e bjeshkëve nuk e sëmurë askënd. Aroma e luleve të ndryshme dhe barit rrallë të shkelur nga njeriu nuk është asgjë më pak se shëndet. 

Çfarë janë planet e çiftit Sopi për të ardhmen sa i takon këtij pasioni?

Së pari që ta kalojmë këtë periudhë shëndetshëm. Edhe nëse prekemi nga COVID-19, kjo për shkak të punëve në terren që bëjmë të dy, unë në Klan Kosova e Qëndrimi në Polici, si oficer i forcave speciale, besoj se do ta kalojmë pa shumë probleme. Dhe kjo falë mënyrës së jetesës që bëjmë.

Ecja në bjeshkë për ne nuk është aktivitet, por mënyrë jetese!

Ne do të vazhdojmë të jetojmë kështu, në harmoni të plotë me natyrën dhe sfidat.

Unë do të përcjell Borean deri sa të rritet edhe pak, me ngjitje më pak të rrezikshme, ndërsa Qëndrimi nuk dyshoj se do të ndërpres përjetimin e adrenalinës gjatë ecjeve të rrezikshme që tashmë është kalitur t’i bëj.

Plane ka shumë, për të cilat lutemi dhe punojmë që të bëhen çdo ditë./Motilokal.com