Instituti i Shëndetit Publik: Dielli është miku, jo armiku ynë

Instituti i Shëndetit Publik: Dielli është miku, jo armiku ynë

Instituti i Shëndetit Publik i Shqipërisë apelon për ndërgjegjësim mbi rëndësinë që ka ekspozimi i moderuar në diell për shëndetin e njeriut. Sipas ekspertëve, sasi të vogla të rrezeve ultraviolet janë të domosdoshme për organizmin, pasi ndihmojnë në sintezën natyrale të vitaminës D në lëkurë.

Vitamina D luan një rol të rëndësishëm në rregullimin e nivelit të kalciumit në gjak dhe është thelbësore për ruajtjen e shëndetit të kockave, muskujve dhe sistemit imunitar. Mungesa e saj mund të ndikojë negativisht në forcën e kockave dhe në funksionimin normal të organizmit.

Specialistët theksojnë se ekspozimi i kontrolluar ndaj rrezeve të diellit, sidomos gjatë orëve të përshtatshme të ditës, sjell përfitime të shumta për shëndetin. Megjithatë, këshillohet shmangia e qëndrimit të zgjatur në diell gjatë orëve me rrezatim të lartë, si dhe përdorimi i masave mbrojtëse për të parandaluar efektet e dëmshme.

Mesazhi i Institutit të Shëndetit Publik është i qartë: dielli është miku ynë kur ekspozimi ndaj tij bëhet me kujdes dhe në mënyrë të moderuar, duke përfituar kështu nga roli i tij i rëndësishëm në mirëqenien dhe shëndetin e njeriut.

/Motilokal.com