Ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, së bashku me Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kanë nënshkruar Marrëveshjen e Mirëkuptimit që synon forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për mbrojtjen e mjedisit.
Përmes kësaj marrëveshjeje, Forca e Sigurisë së Kosovës do të ofrojë mbështetje në aksionet shtetërore mjedisore përmes angazhimit të personelit, makinerive dhe kapaciteteve logjistike, me qëllim krijimin e një ambienti më të sigurt dhe më të pastër për qytetarët.
Ministrja Pacolli ka theksuar se mbrojtja e mjedisit është përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon angazhim të koordinuar nga të gjitha institucionet.
“Me këtë partneritet po dëshmojmë se institucionet e Kosovës veprojnë të bashkuara për të mbrojtur hapësirat publike, për të rritur sigurinë mjedisore dhe për t’u ofruar qytetarëve një mjedis më të pastër dhe më të shëndetshëm për të jetuar”, është shprehur ajo.
Kjo marrëveshje synon të rrisë efikasitetin e aksioneve për mbrojtjen e natyrës dhe të forcojë reagimin institucional në përballimin e sfidave mjedisore.
/Motilokal.com
