Bashkia Lezhë apelon për kujdes në plazhe: Respektoni flamujt sinjalizues dhe udhëzimet e vrojtuesve

Bashkia Lezhë apelon për kujdes në plazhe: Respektoni flamujt sinjalizues dhe udhëzimet e vrojtuesve

Bashkia e Lezhës u ka bërë thirrje të gjithë pushuesve që të tregojnë kujdes maksimal gjatë qëndrimit në plazh, duke respektuar rregullat e sigurisë dhe udhëzimet e vrojtuesve të plazhit.

Sipas njoftimit, në plazhet publike të menaxhuara shërbimi i vrojtuesve ofrohet çdo ditë nga ora 10:00 deri në 18:00. Në çdo stacion vrojtimi janë vendosur flamuj sinjalizues, të cilët tregojnë gjendjen e detit dhe nivelin e rrezikut. Pushuesit ftohen të respektojnë ngjyrën e flamurit dhe udhëzimet e vrojtuesve, pasi kjo ndihmon në parandalimin e aksidenteve dhe ngjarjeve tragjike.

Ndërkohë, Bashkia kujton se në plazhet publike pa pagesë, të shënuara me tabelën "Plazh pa vrojtues", nuk ofrohet shërbimi i vrojtimit. Për këtë arsye, pushuesit duhet të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin hyrjen në det kur kushtet janë të rrezikshme dhe të mbikëqyrin vazhdimisht fëmijët.

Në përfundim, Bashkia e Lezhës thekson se siguria në plazh është përgjegjësi e përbashkët dhe u uron të gjithë pushuesve një sezon veror të qetë dhe të sigurt.


/Motilokal.com