Spektakli i rrallë në qiell më 12 gusht: Ku do të ndodhë eklipsi dhe si të mbroni sytë

Spektakli i rrallë në qiell më 12 gusht: Ku do të ndodhë eklipsi dhe si të mbroni sytë

Një nga spektaklet më të rralla astronomike pritet të sjellë një valë të madhe turistësh drejt Spanjës. Më 12 gusht, një eklips i plotë diellor do të mbulojë një brez rreth 300 kilometra të gjerë, që shtrihet nga Grenlanda dhe Islanda deri në Spanjë e Portugali. Në Itali, fenomeni do të jetë i dukshëm vetëm pjesërisht, me rreth 50% mbulim të diskut të Diellit.

Edhe pse faza e errësirës së plotë do të zgjasë vetëm rreth 90 sekonda, ngjarja ka nxitur mijëra rezervime, veçanërisht në Gadishullin Iberik. Fakti që eklipsi përkon me periudhën e festës së Ferragostos ka shtuar interesimin e turistëve nga e gjithë bota, me vizitorët kinezë ndër më të shumtët. Disa dhoma hoteli në zonat më të favorshme për vëzhgim kanë arritur çmime deri në 1.200 euro nata.

Spanja nuk ka përjetuar errësirë të plotë në mes të ditës që nga viti 1905, ndërsa tani pritet të jetë vendi ku do të shihen tre eklipse të plota diellore brenda tre viteve. Eklipsi i 12 gushtit do të zhvillohet mes orës 19:30 dhe 21:17, ndërsa momenti kulmor do të zgjasë vetëm një minutë e gjysmë. Gjatë kësaj kohe, temperaturat do të ulen dhe yjet do të bëhen të dukshëm në qiell.

Dy eklipset e tjera të plota priten më 2 gusht 2027 dhe 26 janar 2028.

Për Spanjën, destinacionin e dytë më të vizituar në botë pas Francës, kjo pritet të jetë një tjetër goditje e fortë turistike. Për adhuruesit e astronomisë, bëhet fjalë për një ngjarje jashtëzakonisht të rrallë. Dielli ndodhet rreth 400 herë më larg nga Toka sesa Hëna, por edhe diametri i tij është afërsisht 400 herë më i madh, duke krijuar kushtet ideale që dy trupat qiellorë të mbivendosen pothuajse në mënyrë perfekte.

Një eklips i plotë diellor ndodh diku në Tokë mesatarisht çdo 18 muaj, por që i njëjti vend ta përjetojë përsëri, duhet të presë mesatarisht rreth 375 vjet.

“Një eklips i plotë diellor është një nga ato momente të rralla kur miliona njerëz shikojnë qiellin njëkohësisht dhe përjetojnë mahnitje e kureshtje. Është një çast që na lidh me universin”, ka thënë Carole Mundell, drejtoreshë shkencore e Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA).

Në Spanjë, shumë qytete do të organizojnë aktivitete, koncerte dhe pika të posaçme vëzhgimi larg ndriçimit artificial. Vizitorëve do t’u shpërndahen edhe syze speciale me filtra të certifikuar për mbrojtjen e syve.

Ekspertët paralajmërojnë se syzet e zakonshme të diellit, filmat fotografikë apo materiale të improvizuara nuk mbrojnë retinën nga rrezet e fuqishme të Diellit para dhe pas fazës së errësirës së plotë. Për këtë arsye, përdorimi i pajisjeve të certifikuara është i domosdoshëm për një vëzhgim të sigurt.

Një minutë e gjysmë errësirë do të mjaftojë që qielli i Spanjës të bëhet qendra e vëmendjes së botës.

/Motilokal.com