Policia e Kosovës ka shqiptuar gjoba prej 500 eurosh ndaj dy personave në komunën e Klinës, të cilët dyshohet se i kanë vënë zjarrin hamulloreve pas korrjes së grurit, duke rrezikuar përhapjen e flakëve dhe dëmtimin e pronave përreth.
Sipas njoftimit të policisë, rasti i parë është regjistruar më 30 korrik, rreth orës 11:00, në fshatin Caravik. Pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe zjarrfikësit. Pronari i tokës ka pranuar se kishte djegur hamulloret pas korrjes së grurit. Me urdhër të prokurorit, rasti është evidentuar me shënim zyrtar, ndërsa ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 500 euro.
Rasti i dytë ka ndodhur po atë ditë, rreth orës 15:25, në fshatin Dollc, ku zjarri kishte përfshirë rreth 2 deri në 3 hektarë tokë bujqësore. Në vendin e ngjarjes, policia ka hasur edhe tre traktorë duke punuar në arë. Pronari i tokës ka pranuar se i kishte vënë zjarrin hamulloreve për pastrimin e pronës së tij. Me udhëzim të prokurores kujdestare, edhe ky rast është evidentuar me shënim zyrtar, ndërsa kundërvajtësi është gjobitur me 500 euro.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë të ndërmarrë masa ligjore ndaj çdo personi që, me veprimet e tij, rrezikon jetën e qytetarëve, pronën dhe mjedisin.
Njëkohësisht, policia u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë aktiviteteve në natyrë dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, përfshirë ndezjen e hamulloreve, përdorimin e shkrepëseve, hedhjen e cigareve të ndezura apo ndezjen e zjarreve në hapësira të hapura.
/Motilokal.com
