Kosova nis testimin e sistemit të rikthimit të shisheve në Sunny Hill Festival

Kosova nis testimin e sistemit të rikthimit të shisheve në Sunny Hill Festival

Për herë të parë në Kosovë ka nisur testimi i sistemit të rikthimit të shisheve të plastikës dhe kanaçeve të aluminit, një hap i rëndësishëm drejt avancimit të riciklimit dhe menaxhimit të mbeturinave në vend.

Ministria e Mjedisit ka përzgjedhur Sunny Hill Festival për zbatimin e projektit pilot, ku do të testohet funksionimi praktik i këtij sistemi me mbështetjen e kompanisë norvegjeze Tomra.

Ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, u ka bërë thirrje të rinjve që marrin pjesë në festival ta shfrytëzojnë sa më shumë këtë mundësi dhe të kontribuojnë në testimin e sistemit, duke dhënë një shembull pozitiv për mbrojtjen e mjedisit.

Sipas saj, ky projekt përfaqëson një hap drejt një kapitulli të ri në menaxhimin e mbeturinave në Kosovë, me synim rritjen e riciklimit dhe krijimin e praktikave më të qëndrueshme për mbrojtjen e mjedisit.

Në përfundim të festivalit, pjesëmarrësit që do të kontribuojnë më së shumti në riciklim do të nderohen me certifikata mirënjohëse, si vlerësim për angazhimin e tyre në ruajtjen e mjedisit.


/Motilokal.com