Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se është miratuar një vendim që vendos rregulla të qarta dhe masa të detyrueshme për organizimin e festivaleve, koncerteve dhe aktiviteteve të tjera publike, me synim mbrojtjen e mjedisit.
Sipas saj, nga tani çdo organizator do të jetë i obliguar të sigurojë menaxhim të duhur të mbeturinave, pastrim të plotë të hapësirave pas përfundimit të aktivitetit, respektim të kufijve të lejuar të zhurmës, si dhe mbrojtje të ajrit, ujit dhe natyrës.
Pacolli ka theksuar se për aktivitetet me ndikim më të madh në mjedis, komunat do të mund të kërkojnë edhe garanci financiare për rehabilitimin e hapësirës, duke e cilësuar këtë vendim si një standard të ri të përgjegjësisë mjedisore në Kosovë.
Ajo ka nënvizuar se zhvillimi i jetës kulturore dhe argëtuese duhet të ecë krah për krah me mbrojtjen e mjedisit, ndërsa ka paralajmëruar se institucionet do të jenë të pakompromis në zbatimin e këtyre masave, pasi një mjedis i pastër është përgjegjësi e përbashkët dhe detyrim ndaj brezave që vijnë.
/Motilokal.com
