AUV zbulon mospërputhje në produktet e qumështit: Vaj palme dhe përbërës të padeklaruar në etiketa

AUV zbulon mospërputhje në produktet e qumështit: Vaj palme dhe përbërës të padeklaruar në etiketa

Gjatë një konference për media, drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Bekim Hoxha, prezantoi të martën rezultatet e një aksioni disamujor të kontrolleve në sektorin e qumështit, i zhvilluar nga prilli deri në korrik.

Sipas tij, inspektimet janë realizuar në pikat kufitare, depot e operatorëve ekonomikë dhe në subjekte të tjera të përfshira në zinxhirin e furnizimit. Në kuadër të këtij procesi janë marrë 495 mostra të produkteve, të cilat janë analizuar për përmbajtjen e yndyrës, proteinave, vajit të palmës, yndyrave bimore, niseshtesë, qumështit pluhur dhe elementeve të tjera përbërëse.

Hoxha njoftoi se pjesa më e madhe e mostrave i përkiste kategorisë së djathit dhe gjizës, me 113 mostra. Pas tyre radhiteshin qumështi dhe pijet e qumështit me 94 mostra, ajka me 83, margarina dhe yndyrat bimore me 75, kosi dhe jogurti me 57, ndërsa gjalpi me gjashtë mostra.

Nga analizimi i 471 mostrave, AUV ka konstatuar 93 raste të mospërputhjeve në përbërje, ose rreth 19.75 për qind të mostrave të testuara.

“Nga të gjitha mospërputhjet e evidentuara, pjesa më e madhe lidhet me praninë e vajit të palmës, me 46 raste ose 49.5 për qind. Më pas vijnë yndyrat dhe vajrat bimore me 25 raste ose 26.9 për qind, niseshtja (amidoni) me 18 raste ose 19.4 për qind, si dhe qumështi pluhur me katër raste ose 4.3 për qind”, deklaroi Hoxha.

Ai shtoi se në 85 raste janë identifikuar përbërës që nuk figuronin në etiketat e produkteve, ndërsa në tetë raste përbërësit e deklaruar nuk janë konfirmuar gjatë analizave laboratorike.

“Ky aksion nuk është ndërmarrë për të dëmtuar sektorin e qumështit. Përkundrazi, ai synon të mbështesë prodhuesit që respektojnë standardet, investojnë në cilësi dhe konkurrojnë në mënyrë të ndershme. Institucionet kanë përgjegjësi të garantojnë zbatim të barabartë të rregullave për të gjithë operatorët, pasi vetëm kështu mund të ndërtohet një treg i besueshëm”, u shpreh ai.

Drejtori i AUV-së theksoi se rezultatet nuk duhet të krijojnë përshtypjen se produktet e qumështit në Kosovë janë të pasigurta për konsum. Megjithatë, sipas tij, gjetjet e këtij aksioni tregojnë se kontrollet duhet të vazhdojnë dhe mbikëqyrja institucionale të forcohet edhe më tej.

Një nga rekomandimet kryesore që, sipas Hoxhës, ka dalë nga ky proces është hartimi i rregullave më të qarta për prodhimin, autorizimin, emërtimin dhe etiketimin e produkteve që përmbajnë vajra bimore ose përbërës të tjerë zëvendësues të qumështit.

Në fund, ai bëri të ditur se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë do të vazhdojë kontrollet zyrtare, duke theksuar se mbrojtja e shëndetit publik, garantimi i sigurisë ushqimore dhe informimi korrekt i konsumatorëve mbeten objektivat kryesore të institucionit.

/Motilokal.com