Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, ka publikuar rezultatet e kontrolleve zyrtare në sektorin e qumështit, të zhvilluara gjatë periudhës prill–korrik.
Sipas drejtorit ekzekutiv të AUV-së, Bekim Hoxha, gjatë aksionit janë marrë 495 mostra nga operatorë ekonomikë, depo, pika kufitare dhe objekte prodhuese. Analizat laboratorike kanë evidentuar 93 mospërputhje në 471 mostra të analizuara, që përbëjnë rreth 19.7 për qind të totalit.
Mospërputhja më e shpeshtë ishte prania ose deklarimi i pasaktë i vajit të palmës, me 46 raste, e pasuar nga yndyrat bimore, niseshteja dhe qumështi pluhur. Në mbi 91 për qind të rasteve, përbërësit e identifikuar nuk ishin deklaruar në etiketë, duke mos i ofruar konsumatorëve informacion të plotë për produktin.
AUV njoftoi se gjatë kontrolleve janë konstatuar edhe operatorë që nuk posedonin autorizimet përkatëse për prodhimin e produkteve me vajra ose yndyra bimore. Për këtë arsye janë kërkuar masa korrigjuese, përfshirë rregullimin e etiketimit, deklarimin e saktë të përbërësve dhe pajisjen me autorizimet e nevojshme. Në rastet më serioze janë ndërmarrë masa administrative, përfshirë ndërprerjen e prodhimit dhe tërheqjen e produkteve nga tregu.
Hoxha theksoi se aksioni nuk është ndërmarrë kundër industrisë së qumështit, por për të garantuar konkurrencë të drejtë, siguri ushqimore dhe informim korrekt të konsumatorëve. Ai shtoi se gjetjet nuk nënkuptojnë se sektori i qumështit në Kosovë është i pasigurt, por tregojnë nevojën për kontrolle të vazhdueshme dhe mbikëqyrje më të fuqishme institucionale.
AUV paralajmëroi se kontrollet do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me fokus mbrojtjen e shëndetit publik, sigurinë ushqimore dhe zbatimin e standardeve ligjore.
/Motilokal.com
